Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thotë se administrata e presidentit Joe Biden po punon me Kongresin për të siguruar gati 300 milionë dollarë ndihmë shtesë për Afganistanin në vitin 2021.
“Financimi do të ketë si objektiv mbështetjen dhe konsolidimin e asaj që është arritur në 20 vitet e fundit duke përmirësuar qasjen në shërbimet thelbësore për qytetarët afganë, mbështetur rritjen ekonomike, luftën ndaj korrupsionit dhe tregtisë së narkotikëve, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, mbështetjen e fuqizimit të grave, përmirësimin e mekanizmave për zgjidhjen e konflikteve dhe forcimin e shoqërisë civile afgane dhe mediave të pavarura”, tha zoti Blinken në një deklaratë.
Masa vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë njoftuar se po tërheqin të gjitha trupat nga Afganistani. Presidenti Joe Biden ka thënë se forcat ushtarake amerikane do të jenë larguar nga vendi deri më 11 shtator.
Zoti Blinken bëri një vizitë të paparalajmëruar në Afganistan javën e kaluar për të siguruar zyrtarët atje se Uashingtoni do të vazhdojë të jetë i përkushtuar ndaj vendit, ku trupat amerikane janë vendosur që nga viti 2001 pas sulmeve të 11 shtatorit kur terroristët goditën me avionë të rrëmbyer Qendrën Botërore të Tregtisë në New York dhe Pentagonin, jashtë Uashingtonit. Një aeroplan tjetër i rrëmbyer u rrëzua në një fushë afër Shanksville, Pensilvani.
Kur paraardhësi i zoti Biden, Donald Trump, ishte në detyrë, SHBA arriti një marrëveshje me Talibanët për të tërhequr forcat amerikane deri në 1 maj. Ndryshimi i afatit nga zoti Biden e zemëroi grupin kryengritës, që tha se kjo ishte shkelje e marrëveshjes.
Gjatë viteve të përfshirjes së SHBA-së në Afganistan, më shumë se 2,200 trupa amerikane janë vrarë dhe 20,000 janë plagosur. Vlerësohet se SHBA ka shpenzuar më shumë se 1 trilion dollarë në luftë, më e gjata e Amerikës.
Sipas Bankës Botërore, më shumë se gjysma e afganëve jeton me më pak se 1.90 dollarë në ditë. Ai konsiderohet gjithashtu një nga vendet me gjendjen më të keqe të të drejtave të grave, sipas Institutit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Universitetin Georgetown.//VOA