Bebe Rexha ka publikuar së fundmi albumin e saj më të ri muzikor. Ky është albumi i saj i dytë gjatë jetës profesionale, i cili mban titull “Better Mistakes”, që në shqip do të thotë “Gabime më të mira”. Ai përmban gjithsej 13 këngë dhe tanimë mund të shijohet në të gjitha platformat muzikore në botë.
Menjëherë ky album arriti të kryesonte listat e albumeve të mira, duke tejkaluar çdo pritshmëri të Bebes. “Better Mistakes” kryeson listën e 10 albumeve më të mira, në atë që njihet si platforma më e madhe e muzikës në botë, “Spotify”. Këtë lajm e bëri të ditur vetë “Spotify”, nëpërmjet një postimi në Instagram me 10 albumet më të mira, ku vihet re se artistja shqiptare është në krye të saj duke lënë pas emrat të famshëm të botës së muzikës.
Ndonëse albumi ka arritur menjëherë një sukses të jashtëzakonshëm, realizimi dhe publikimi i tij ka qenë shumë stresues për këngëtaren. Ditën e sotme ajo ka ndarë në Instagram një video të saj, përmes së cilës ka treguar se si ka çliruar stresin para se të publikonte albumin në çdo platformë.
Këngëtarja ka treguar se ka shkuar në “Break Room” në Los Angeles së bashku me Paris Hilton për të çliruar gjithë stresin. Në video, Bebe shihet duke thyer objekte të ndryshme dhe gjithë ky proces e ka ndihmuar të ndihet më mirë. “Break Room” ose të njohura ndryshe si “Smash rooms” janë hapur në shtete të ndryshme të botës dhe ofrojnë një vend të sigurt ku njerëzit mund të nxjerrin gjithë inatin e tyre apo stresin duke thyer sende.