Gjykata Kushtetuese me anë të një deklaratë është shprehur se të gjitha vendimet e marra prej saj nuk ka asnjë ndikim nga faktorë të tjerë.
Sipas këtij institucioni, vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.
“Çdo lloj vendimmarrje e kësaj Gjykate, qoftë njëzëri ose me shumicë të votave, është dëshmi e një procesi mendimesh e qëndrimesh të gjyqtarëve kushtetues, sipas bindjes së brendshme të bazuar në Kushtetutë, integritetit dhe paanësisë së gjyqtarit kushtetues ndaj çdo ndikimi të mundshëm të faktorëve të tjerë. Nga ana tjetër, çdo lloj vendimmarrje në kushtet e diversitetit të mendimeve e ushqen njëlloj procesin e pasurimit të vazhdueshëm të jurisprudencës dhe doktrinës kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Më tej Gjykata Kushtetuese argumenton se sapo ka filluar të funksionojë është përballur me një numër të konsiderueshme çështjesh.
“Gjatë kësaj periudhe, volumit të çështjeve në pritje për shqyrtim, Gjykata i është përgjigjur me ritmin e duhur dhe që prej janarit të këtij viti ka shqyrtuar 100 kërkesa; 25 prej tyre në seancë plenare, kurse për 75 është vendosur moskalimi në seancë plenare. Ndër vendimet e moskalimit, 50 prej tyre janë dhënë nga kolegjet, ndërsa 25 janë dhënë nga Mbledhja e Gjyqtarëve”, thotë Gjykata Kushtetuese.
Deklarata e plote e Gjykates Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese, tashmë funksionale prej janarit të vitit 2021, e ndërgjegjshme për rëndësinë e drejtësisë kushtetuese në mbrojtjen e vlerave bazë të organizimit shtetëror dhe të lirive themelore të individit, vlerëson të informojë publikun për disa të dhëna të veprimtarisë së saj gjatë kësaj periudhe, me bindjen se transparenca dhe informimi i shërbejnë ndërtimit të marrëdhënieve të besimit reciprok. Në përmbushje të misionit të saj për garantimin e epërsisë së Kushtetutës dhe forcimin e demokracisë në vend, Gjykata, ndonëse ende e paplotë dhe në kushtet e një kuorumi të brishtë e me përbërje tërësisht të re, sapo rifilloi funksionim, u gjend përballë një numri të konsiderueshëm çështjesh gjyqësore dhe veprimtarish të reja administrative, që buronin nga ndryshimet kushtetuese dhe ligjore.
Një prej veprimtarive administrative më të rëndësishme është miratimi i Dokumentit të parë Strategjik të Gjykatës Kushtetuese, si udhërrëfyes institucional për arritjen e standardeve më të larta në ushtrimin e funksioneve të saj me profesionalizëm, integritet dhe besueshmëri.
Gjatë kësaj periudhe, volumit të çështjeve në pritje për shqyrtim, Gjykata i është përgjigjur me ritmin e duhur dhe që prej janarit të këtij viti ka shqyrtuar 100 kërkesa; 25 prej tyre në seancë plenare, kurse për 75 është vendosur moskalimi në seancë plenare. Ndër vendimet e moskalimit, 50 prej tyre janë dhënë nga kolegjet, ndërsa 25 janë dhënë nga Mbledhja e Gjyqtarëve.
Duke u udhëhequr nga parimet e kolegjialitetit, pavarësisë dhe paanësisë, të sanksionuara në Kushtetutë, Gjykata i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe zgjidhjes në një kohë sa më të shkurtër të mosmarrëveshjeve kushtetuese, sidomos përfundimit të çështjeve të mbartura, çka është bërë e mundur edhe falë përkushtimit të gjyqtarëve kushtetues. Po ashtu, një vlerë të shtuar në këtë drejtim ka pasur edhe administrimi efikas i burimeve njerëzore dhe materialeve ekzistuese të Gjykatës.
Në veprimtarinë e saj Gjykata është kujdesur edhe për ruajtjen e vazhdimësisë së jurisprudencës kushtetuese, duke iu referuar edhe jurisprudencës së GJEDNJ-së dhe asaj të gjykatave të tjera kushtetuese. Po ashtu, ajo i ka kushtuar vëmendje transparencës në vendimmarrje, duke publikuar në kohën e duhur në faqen zyrtare njoftime për publikun dhe median lidhur me vendimet e saj.
Gjykata, gjithashtu, vlerëson se është me rëndësi themelore që veprimtaria dhe autoriteti i Gjykatës të mbështetet nga aktorët politikë dhe institucionalë, nga subjektet që e vënë në lëvizje, nga mediat dhe publiku i gjerë. Dhënia e besimit prej tyre në këtë fazë i shërben ringritjes së autoritetit të saj, e cila në çdo rast shoqërohet me përgjegjësi të shtuar për Gjykatën dhe secilin prej gjyqtarëve, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi.
Në këtë drejtim, Gjykata rithekson rëndësinë që ka pranimi nga kushdo i forcës detyruese të vendimmarrjes së saj, bazuar në nenin 132 të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Çdo lloj vendimmarrje e kësaj Gjykate, qoftë njëzëri ose me shumicë të votave, është dëshmi e një procesi mendimesh e qëndrimesh të gjyqtarëve kushtetues, sipas bindjes së brendshme të bazuar në Kushtetutë, integritetit dhe paanësisë së gjyqtarit kushtetues ndaj çdo ndikimi të mundshëm të faktorëve të tjerë. Nga ana tjetër, çdo lloj vendimmarrje në kushtet e diversitetit të mendimeve e ushqen njëlloj procesin e pasurimit të vazhdueshëm të jurisprudencës dhe doktrinës kushtetuese.
Gjykata është besimplotë se ushtrimi i veprimtarisë së saj bëhet edhe më efektiv në një klimë besimi reciprok dhe luajal.