Partia Socialiste do të nisë spastrimet në radhët e saj, aty ku rezultati zgjedhor ka qenë më i ulët se ai i zgjedhjeve të kaluara ose humbës.
Deri në mbajtjen e kongresit të jashtëzakonshëm të 12 qershorit, pra, për një periudhë njëmujore, si asnjëherë më parë, do të duhet të zgjidhen kryetarët e organizatave, drejtuesit e PS në bashki, në qark, por dhe delegatët e kongresit.
Ende pa shijuar fitoren e rezultatit të zgjedhjeve që u garanton mandatin e tretë qeverisës, kryesocialisti hapi fushatën e zgjedhjeve, për të cilën tha se do të analizohet rezultati i çdo qendre votimi dhe përgjegjësia e gjithsecilit për këtë rezultat.
DREJTUESIT POLITIKË
Në krye të analizës, në çdo qark do të jetë drejtuesi politik i tij, ai që drejtoi fushatën zgjedhore dhe ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputetë. “Një komisioni i posaçëm riorganizimi duhet të ngrihet me shpejtësi për ta orientuar e koordinuar këtë proces. Po ashtu, në çdo qark duhet të ngrihen nën drejtimin e të deleguarve komisionet rajonale të riorganizimit që do ta jetësojnë këtë operacion ripërtëritës me anëtarësime të reja e me lëvizje të brendshme organizative.
Në 12 qershor, Partia Socialiste mbush 30 vjeç dhe 12 qershori është dita e duhur për të thirrur kongresin e jashtëzakonshëm, ku jo vetëm të kremtojmë si duhet këtë përvjetor kaq të rëndësishëm me gjithë brezat, por dhe të paraqesim vizionin Shqipëria 2030, si dhe angazhimet kryesore të programit të ri qeverisës”, u shpreh dje Kryeministri Rama para deputetëve të rinj dhe atyre aktualë në oborrin e Pallatit të Brigadave.
Por kryesocialisti shënjestroi gjatë fjalës së tij çdo drejtues lokal, “në nivelet ekzekutive në territor”, duke nënkuptuar prefektët, nënprefektët, drejtuesit në bashki, drejtorët rajonalë, të cilët do të kalojnë në sitën e drejtuesit politik të qarkut dhe komisionit që do të merret me analizën e rezultatit të zgjedhjeve.
“Me gatishmëri maksimale duhet të nisim menjëherë një fushatë hapjeje të re të Partisë Socialiste, ku nga njëra anë duhet të krijojmë një mundësi të besueshme përfshirjeje të të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e kësaj familje e nga ana tjetër duhet të rirreshtojmë nga e para të gjitha forcat në terren, bazuar në rezultatet e arritura.
Kush nuk e ka arritur objektivin, që nga niveli i drejtimit të organizatës, deri te niveli më i lartë organizativ, duhet t’i lërë vendin dikujt tjetër. Nga ana tjetër, kush nuk ia ka zbardhur faqen kësaj shumice në nivelet ekzekutive në territor, duhet gjithashtu që t’ia lërë vendin dikujt tjetër”, tha Kryeministri Rama.
Kongresi i ri
Dy vjet pas kongresit të fundit dhe zvarritjes së mbledhjes së asamblesë kombëtare për shkak të pandemisë së Covid19, socialistët do të mbledhin pas një muaji kongresin e jashtëzakonshëm të tyre nga ku do të zgjedhin dhe institucionet drejtuese vendimmarrëse të partisë, siç është Asambleja Kombëtare.
Nëse kryetari i PSsë, Edi Rama, do t’i qëndrojë deklaratës së djeshme për të përfshirë në organet e reja të PS fituesit në zgjedhje, do të duhet që Pandeli Majko, Mimi Kodheli, dy nga deputetët aktualë që u vendosën poshtë listës fituese së Tiranës dhe që nuk morën votat e nevojshme për të thyer herësin, të mos jenë më as anëtarë të asamblesë kombëtare dhe as në kryesinë e Partisë Socialiste. Po ashtu, jashtë asamblesë dhe kryesisë socialiste mbetet edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Por në asamblenë e re kombëtare do të jenë pjesë e saj dy ish-ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço dhe Lefter Koka, por dhe ish-deputetja e pavarur që erdhi nga radhët e LSI-së, Aurora Mara, që doli fituese në qarkun e Dibrës.
Pandeli Majko është anëtar i asamblesë kombëtare ex oficcio për shkak se ka qenë Kryeministër i vendit. Por ndërkohë që asamblesë kombëtare mund t’i mungojnë Mimi Kodheli apo Spartak Braho, pjesë e saj do të jenë deputetët më të votuar, siç është Ornaldo Rakipi, i cili arriti të thyejë herësin për t’u përfshirë në listën fituese të Tiranës duke skualifikuar kryetarin e PS-së së Tiranës, deputetin aktual Ervin Bushati.
Po ashtu, pjesë e asamblesë do të jetë edhe deputeti tjetër më i votuar i qarkut të Elbasanit, Sajmir Hasalla. Por nëse nuk do të ketë orientime të votave, Kodheli, Braho dhe të tjerë mund të zgjidhen fillimisht delegatë në kongres e më pas të propozohen dhe votohen nga delegatët për në asamblenë kombëtare.