Hetimet për Presidentin Ilir Meta tashmë janë mbyllur dhe komisioni do të administrojë dhe shqyrtojë provat. Në fjalën e tij, kryetari i Komisionit, Alket Hyseni kërkoi nga të gjithë kolegët deputetë që të mos ndikohen nga bindjet politike.
Anëtarja, Klotilda Bushka u shpreh se nuk do të kërkohen prova të reja, ndërsa përsëriti punën që duhet të këtë Komisioni Hetimor nga dita e sotme.
“Përsa kohë e kemi konsideruar se të gjitha provat tona janë depozituar, administruar dhe është mbyllur hetimi është radhë të shqyrtojmë këto prova”, tha Bushka.
Diskutimi ne Komision
Alket Hyseni: Do të orientoja dike nga kolegët se mbi bazën e provave, pamjeve filmike, postimeve të ndryshme, reagimeve, bindjeve të ndryshme të gjykojnë mbi bazë të respektit të kushtetutës dhe të jemi sa më objektiv përtej emocioneve apo bindjeve politike të secilit nga ne.
Klotilda Bushka: Më lejoni të përcaktoj edhe njëherë se në çfarë faze të shqyrtimit procedural jemi. Në vijim të punës, sot pasi kemi përfunduar administrimin e provave jemi në fazën mbi diskutimin e provave. Ne nuk do të kërkojmë më prova të tjera. Përsa kohë e kemi konsideruar se të gjitha provat tona janë depozituar administruar dhe është mbyllur hetimi është radhë të shqyrtojmë këto prova. Jemi një komision hetimor që po hetojmë shkeljet e kryera nga Presidenti i Republikës dhe objekti i hetimit është hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera nga Presidenti gjata dhe pas fushatës dhe ditën e zgjedhjeve përbejnë shkelje të kushtetutës.
Duke iu referuar objektit të hetimit dhe kërkesave të parashtruara në kërkesën e 49 kolegëve tanë, pretendimet lidhen me këto shkelje:
Shkelja e betimit të Presidentit
Shkelja e detyrimeve kushtetuese për të qenë përfaqësues i unitetit të popullit
Shkelja e detyrimeve kushtetuese për të mos ushtuar asnjë aktivitet tjetër përveç atë të Presidentit.
Shkelja e detyrimeve kushtetuese për të mos ushtruar asnjë kompetencë të parashikuar në ligj
Cënim i të drejtave të individëve
Cënim me partnerët strategjik
Cënim i imazhit të vendit
Abuzim me kompetencat e presidenti
Ky komisioni duhet të japë konkluzione në lidhje me ekzistencën e këtyre shkeljeve dhe të vërtetojë nëse këto shkelje janë të rënda për ti dhënë përgjigje kolegëve deputetë.
Komisioni Hetimor duhet të bazohet në provat dhe faktet. Në lidhje me shqyrtimin për shkeljen e rëndë, në legjislacionin përkatëse nuk kemi një përcaktim të qartë, por duke iu bazuar jurisprudencës, opinionit të Venecias, Komisioni mund të analizoje shkeljen e rëndë në varësi të disa faktorëve. Ju vë në dijeni se kolegët deputetë kanë ngritur pretendime që lidhet me disa nene të kushtetutës.
Unë mendoj se nuk ka qëllim legjitim në deklaratat e Presidentit. Nëse i marrim këto deklarata, ato janë bërë në kohën e zgjedhjeve. Kemi para një sërë praktikash të Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Kushtetuese që flasin për të drejtat për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur. Në materialin e ekspertëve ligjore keni një sërë analizash që arrijnë në konkluzionin se kur jepen mesazhe pro apo kundër një force politike ndërhyhet. E thënë në këtë formë dalë nga roli i përfaqësuesit të unitetit të kombit është shkelur e drejta për të zgjedhur. Këto thirrje krijojnë diferencim dhe ndasi politike, krijojnë etiketime që nuk mund të mos ndikojnë te zgjedhësit për të krijuar bindjen e vetë.