Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka dalë kundër ligjit të miratuar në parlament për menaxhimin e parkut arkeologjik kombëtar të Butrintit. Në një konferencë me akademikë, që u shndërrua në debat, kreu i akademisë pranoi se institucioni shkencor nuk është përfshirë në proces.
“Morëm dijeni për gjënë me pak vonesë. Nuk menduam që do ta kalonin kaq shpejt.
Së pari, i takonte pikërisht qeverisë të konsultohej me Akademinë e të konsultohej me institutet përkatëse. Në menaxhimin shkencor po e quaj, pra hulumtim, restaurim etj, mbrojmë interesat a rolin e instituteve. Institutet ( Arkeologjia dhe Monumentet) s’mund të rrinë indiferente apo të pranojnë të përjashtohen. Personalisht, mendoj që këtu ka një boshllek, ka një anashkalim.”, tha Skënder Gjinushi.
Në dy orë konferencë, mes të tjerësh, arkeologu Neritan Ceka tha se arkeologu Richard Hodges në një artikull të 2012-ës e ka quajtur mit qytetërimin ilir. “Thotë për ne arkeologët “linja kryesore e kërkimit e mbështetur nga autoritetet ishte formimi i një miti të origjinës ilire. Unë nuk kam asgjë me Richard Hodges. Jemi në dy platforma të ndryshme, unë jam me UNESCO tani më thoni ju me kë është Richard Hodges. Ruajtjen e kujtesës dhe tërësisë territoriale. Ky është misioni që na ka dhënë UNESCO, dhe jo Enver Hoxha por kye zotëri kujton se na e ka dhënë Enver Hoxha.”, tha Ceka.
Ish-drejtori i Parkut të Butrintit, Auron Tare, ishte i ashpër me arkeologët dhe kujtoi se në proces specialistët shqiptarë janë lënë jashtë. “I bini vërdallë e vërdallë, pse I bini, se do kapni ndonjë projekt, ndonjë? Keni emrin e arkeologjisë shqiptare, qendrojini kësaj gjëje. Nuk lejohet në Amerikë një fondacion i huaj të ndryshojë ligjin, të bëjë planin e menaxhimit, të krijojë bordin, të fusë veten e vet, të marrë Butrintin e ta menaxhojë për vete. Në Amerikë nuk lejohet kjo punë, nuk lejohet! Pse e lejoni ju? Ja ku jeni, profesorë. Pse e lejoni ju?”, – pohoi Tare.
Menaxhimi i Butrintit, sipas ligjit të kaluar në parlament dhe ligjit të trashëgimisë, do të bëhet me një fondacion të krijuar me bashkëpunim privat e publik, me një bord prej pesë vetash, ku ministria e kulturës është pjesë.
*Fotografia kryesore: Gjerak Karaiskaj, Butrint 1977 – Albanian Archaeology