“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Disa njerëz nuk i prek gripi, cili është sekreti?
Mjeku:Edhe pse jetojmë në të njëjtin ambient, disa persona nuk shfaqin asnjëherë simptomat e të ftohurit, apo nuk preken nga gripi. Padyshim që ky fakt na bën kuriozë. Ndërsa disa prej nesh, me ndryshimin e temperaturave fillojmë teshtimat, kemi rrufë, hundë të bllokuara, dhe kollë, disa të tjerë, duket se janë të paprekshëm nga i ftohti apo gripi.
Po si ndodh kjo? Cili është sekreti ti tyre? Në fakt, përgjigjja më e thjeshtë do të ishte: është gjenetike.
Sipas një studimi 24-vjeçar të realizuar nga Universiteti i Harvardit, rezultatet e të cilit u publikuan javën e kaluar, binjakët janë të predispozuar të preken nga të njëjtat sëmundje, duke treguar se ADN-ja është përgjegjëse për 40% të sëmundjeve.
Eksperti i sëmundjeve respiratore, Ron Eccles, është i bindur se gjenetika është arsyeja kryesore pse disa njerëz nuk preken asnjëherë nga viruset e të ftohtit apo gripit.
“Ne të gjithë kemi lindur me një sistem imunitar unik, ashtu siç janë unike edhe shenjat e gishtave. Edhe ata që nuk preken nga gripi, janë të infektuar nga virusi, por sistemi i tyre imunitar e vret virusin, duke mos zhvilluar simptomat.”,- thotë ai.
Viruset e zakonshme të gripit apo të ftohurit prekin hundën, fytin, laringun, kordat zanore dhe sinuset.Përpos gjenetikës, për të patur një mbrojtje më të mirë ndaj viruseve të gripit apo të ftohurit, ekspertët sugjerojnë një dietë të pasur me fibra, fruta dhe perime: të hiqet dorë nga duhani dhe alkooli, si dhe të reduktohet stresi. Këto elemente ndikojnë në forcimin e sistemit imunitar.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.