“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Si nis dëmtimi i veshkave te diabetikët dhe si shfaqet?
Mjeku: Fillimisht i sëmuri ka vetëm një sasi shumë të vogël albumine në urinë e kjo etiketohet si mikroalbuminuri. Nëse një diabetiku i gjendet mikroalbuminuri në analizat e urinës, kjo tregon se ky pacient do ketë më vonë dëmtim të veshkave. Por mikroalbuminuria është një shenjues edhe i dëmtimit të enëve të gjakut në organe të tjera dhe kjo tregon se edhe komplikacionet nga zemra do jenë më të shpeshta.
Pas 5-6 vjetësh nga fillimi i mikroalbuminurisë, ajo shtohet dhe rritet sasia e proteinave në urinë. Kjo tregon se po thellohet dëmtimi i veshkave dhe është kompromentuar më rëndë filtri i veshkave për nxjerrjen e mbeturinave të metabolizmit. Në këto stade, gjetja e disa gramë albumine në urinë tregon se dëmtimi i veshkave do të ketë një progresion të pandalshëm, pavarësisht nga përpjekjet që mund të bëhen për të parandaluar atë. Kështu pas pak vitesh të tjera fillon edhe dëmtohet filtrimi në mënyrë të tillë në veshka, saqë bëhet e pamjaftueshme nxjerrja me anë të urinës e azotit, e kreatininës, e acidit urik etj. Niveli i këtyre lëndëve në gjak fillon e rritet gradualisht dhe fillojnë të shfaqen shenjat klinike e simptomat tek i sëmuri.
Pacienti fillon të këtë tensionin e gjakut të lartë, më vonë anoreksi, ndjenjën e të vjellit, anemi, yndyrnat e rritura, këmbët e shqetësuara e që i djegin.
Fillon e kruhet në lëkurën e trupit e bëhet gjithmonë e më shumë i pafuqishëm. Shfaqet marrja e frymës për shkak të acidozës në rritje dhe krampet e muskujve për shkak të çrregullimit të elektroliteve në gjak. Të gjitha këto bëhen shumë të forta në stadet e fundit të dëmtimit të veshkave dhe vjen një moment kur i sëmuri nuk mund të jetojë me ilaçe apo me serume dhe duhet domosdoshmërisht të futet në dializë ose të bëjë transplant të veshkave në mënyrë që të mbijetojë. Dializa i siguron të sëmurit nxjerrjen e helmeve të trupit, një punë kjo që veshka e tij nuk e kryen dot dhe ruhet kësisoj ekuilibri i ambientit të brendshëm të organizmit.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.