“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Të vërtetat dhe të gabuarat për gurët në veshka
Mjeku: Trashëgimia, mënyra e ushqyerjes, infeksionet urinare, janë disa nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen e gurëve në veshka.
Është e vërtetë që gurët në veshka janë një problem mjaft i shpeshtë për stinën e ftohtë?
Jo. Në të vërtetë gurët në veshka janë një problem që shfaqet gjatë gjithë vitit, por nuk ka ndonjë të dhënë shkencore që ta lidhin shfaqjen, përkeqësimin apo dhe shtimin e tyre me stinën e dimrit. Më shpesh vihet re gjatë stinës së verës, kjo lidhet me faktin që temperaturat e larta ndikojnë që organizmi të humbë shumë lëngje, nëpërmjet djersës, gjë që ndikon në rritjen e konceptimit të kripërave në urinë. Kjo favorizon shfaqjen e kristaleve, që përveçse ndikojnë në krijimin e gurëve, mund të çojnë dhe në rritje të përmasave të gurëve që mund të jenë ekzistues.
Është e vërtetë që burrat janë më të prekur nga gurët në veshka?
Po. Nëse i referohemi statistikave është vënë re se frekuenca e shfaqjes së gurëve është më e lartë për burrat, sesa te gratë.
Ushqimet që përmbajnë shumë proteina shtazore, si.psh mishi i kuq, ndikon në shfaqjen e gurëve në veshka?
Po. Personat që konsumojnë ushqime që përmbajnë shumë proteina shtazore, është vënë re se janë më të predispozuar të shfaqin gurë në veshka.
Është e vërtetë që personat që punojnë në ambjente me temperatura të larta, të shfaqin probleme me gurët?
Po, kjo shpjegohet me faktin e avullimit të lëngjeve, precepitimit të oksalateve të kalciumit në urinë dhe për pasojë shfaqjen dhe formimin e gurëve në veshka.
Infeksionet urinare ndikojnë në shfaqjen e gurëve në veshka?
Po. Infeksionet urinare konsiderohen si një nga faktorët që favorizojën formimin e gurëve ne veshka. Kjo lidhet me faktin që ndryshohet ambjenti i urinës nga acido-bazik dhe formojnë disa lloje të veçantë gurësh në veshka.
Është e vërtetë që ushqimet me kalcium ndikojnë në shfaqjen e gurëve?
Jo. Shpesh mendohet se ushqimet me kalcium si p.sh. bulmetrat, etj, ndikojnë në shfaqjen e gurëve në veshka, për shkak të përmbajtjes së lartë të kalciumit. Por në të vërtetë ndodh e kundërtra. Në rastin e ushqimeve me kalcium, kalciumi përthithet më mirë në zorrë, lidhen me oksalatet dhe krijojnë precipitate dhe dalin nga organizmi. Ndërsa në rastin e ushqimeve me pak kalcium, janë oksalatet që përthithen nga zorra, (pasi nuk kanë me çfarë të lidhen_ dhge për pasojë dalin në urinë.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.