“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Jam një vajzë 25 vjeç dhe doja të mësoja rreth një problemi që më është shfaqur para pak ditësh. Kam dhimbje fyti dhe mjeku që më vizitoi më tha se kasha laringit. Më dha mjekim, por nuk pata shumë rezultat. Doja të dija, nga se shkaktohet dhe çfarë mund të përdoret për mjekimin e kësaj sëmundjeje:
Mjeku: Së pari do sqaroja vajzën se laringiti është sëmundje inflamatore e laringut, i cili është pjesë e rrugëve të frymëmarrjes dhe që luan disa funksione, pasi përveç rolit aktiv në procesin e frymëmarrjes, ai luan rol dhe në krijimin e tingujve dhe fjalëve, si dhe rol mbrojtës e pastrues të bronkeve e mushkërisë. Shkaqet e shfaqjes së laringut janë disa por me të shpeshtët janë infeksionet virale, infeksionet bakteriale si stafilokoku, streptokoku apo pneumokoku dhe substanca të ndryshme alergjizuese. Të njëjtin efekt japin dhe gazrat me efekt helmues, duhani apo kimikatet, temperaturat e ulëta dhe mjediset me lagështi. Por dhe sëmundje të përgjithshme të organizmit por që dëmtojnë dhe laringun si poliartiti, reumatizma, etj. Për sa i përket mjekimit, ai varet nga shkaku dhe nga ecuria e sëmundjes. Kështu në format e lehta këshillohen përdorimi i çajrave të ngrohta, bërja e avujve me mentol apo ekualipt, evitimi i të folurit, duhanit, alkoolit, dhe sipas rastit qetësues për dhimbjen e për kollën me antibiotik dhe antihistaminikë në alergjitë. Në rastet kur pacienti rëndohet përdoret kortizon.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.