MENU
klinika

Roland Qafoku

Qeparoi i pushtuar nga turistët e huaj me rulotë dhe zengjinët e pasur të Tiranës

14.08.2023 - 16:01

Nuk po “zbulojmë Amerikën”, por jemi një familje që kemi zgjedhur Qeparoin të pushojmë këto ditë gushti. Të qenit gazetar ta ngacmon zejen dhe ia vlen të hedhësh disa impresione për 10 ditë që erdhëm, pamë, pushuam, shijuam dhe u kthyem në Tiranë. Makina lë pas autostradën 110-tëshe të Vlorës dhe pas një ngatërrese për mungesë sinjalistike, për ironi futemi në një rrugë që ata që e kanë ndërtuar duhen të mburren. Dallohet qartë që aksi i Lumit të Vlorës është një arterie që jo vetëm ndihmon daljen në det, por të mahnit me panoramën me kontrast të fortë. Për shumë kilometra reliev malor-shkëmbor dhe më pas një det blu që nuk ka të përshkruar. Me këtë rrugë nuk e ndjen fare që po vozit makinën ndër male. Është e gjerë, ka pjerrësi normale, ka trafikndarëse dhe ka sinjalistikën e duhur horizontale. Për të prishur syrin shpesh mungon ajo vertikale, por ua “falim”. Ecim, por kokën e zgjasim herë majtas dhe herë djathtas për të shijuar një reliev për kartolinë. I vetmi merak është të mos ngatërrojmë rrugën, se aty nuk ke shans për valë celulari, pavarësisht se çdo 200 metra lexon të stampuar me bojë në trafikndarëse fjalën “Karrotrec” dhe përbri numri i telefonit të “ustait”. Ka aq shumë njoftime për karrotrec saqë të duket si një detyrim që po kalove këtej doemos duhet t’i biesh patjetër atij numri. Peizazhi të bën të pyesësh përse ne jugorëve nuk na thonë malësorë dhe përse këtë cilësim gjeografik e mban vetëm Veriu. Male, male e male që kur i shikon që kalojnë si në revistë të duket sikur garojnë cili është më i larti, më i thepisuri e më i ashpri. Ato që jemi lexuar në libra dhe parë në fotografi tani i shikojmë live me sy. Gjormi, Lepenica, Brataj, Tërbaçi, Vranishti, Kallarati, Kuçi, Mesapliku e Drashovica na shfaqen një e nga një në këto shkrepa dhe përsëri habitemi se si ky popull, pikërisht në ato maja malesh ka bërë luftë me armë, ka derdhur gjak dhe ka nxjerrë jo pak trima patriotë që na bëjnë të gjithëve krenarë. Por ashpërsia e shkrepave përmbyset sapo del në qafën e Qeparoit. Përpara na shfaqet deti ngjyrë “blue marine” dhe nëse parajsa ekziston, Zoti doemos e ka bërë zgjedhjen e tij duke dalë një xhiro këtej.

PERLA QEPARO QË GARON ME TË GJITHË

E drejtojmë makinën ngadalë në dishezë dhe mbërrijmë në Qeparo. Futemi në zonën e plazhit. Këtu gëlon gjithçka. Pamja është për muzë me tepri. Teksa e vrojton mirë e mirë dalldisesh nga bukuria. Nuk ka shans që piktori, skulptori, poeti e shkrimtari të mos frymëzohet sapo t’i shfaqet panorama përballë. Në breg të gjitha godinat, shtëpitë, hotelet, lokalet dhe kioskat janë të sistemuara për merak. Të vogla, pranë njëra-tjetrës, të larta jo më shumë se 2-3 kate dhe të vendosur në kodër buzë detit. Të gjitha njëra mbi tjetrën, aty në shpatin e kodrës dhe kjo pamje të nxjerr mallin e Beratit në stilin e “një mbi një dritareve”. Nuk e kemi kompleksin për ti përmendur teksa jemi thjeshtë konsumatorë të radhës: “Sunset Boulevard”, “Te Stefi”, “Andoni”, “Hotel Riviera”, “Aya”, hotel “Qeparo”, “Valta Hotel”, “Veranda” etj., etj., janë për merak. Dhoma të pastra, shërbim cilësor, gatime të shijshme dhe çmime të arsyeshme. Nuk i kuptojmë ende ata që pasi konsumojnë ushqim në një lokal, vrik publikojnë faturën në facebook. E, meqënëse jemi në mes të “kampionatit” për të nxjerr diçka për fshatin e madh facebook, unë po bëj publikë vetëm një. Çmimi i shezlongut në një prej këtyre komplekseve është 800 lekë të rinj dhe pas orës 15.00 vetëm 500 lekë të rinj. Ama, te plazhi publik çmimi është 0 lekë. Nuk është gabim shtypi. Çmimi është 0 lekë. Vendos çadrën tënde dhe shullohu aty sa të duash, si të duash dhe kur të duash. Sigurisht që në Qeparo ka edhe shezlongë 2000 lekë të rinj. Ti mund të shkosh ku ta ketë kokrra e qejfit. Çmimet janë të afishuara dhe mund të zgjedhësh, por jo pasi të kesh bërë qejf dhe të kesh pirë nja dy shishe verë dhe ashtu xurxull bën të pakënaqurin dhe të indinjuarin dhe fap në facebook shan para e mbrapa hotelin, restorantin, pronarin, gjithë fshatin Qeparo dhe gjithë Shqipërinë madje. Hej o njerëz, janë pushime. Janë qejf, jo hall. Më vjen të thërras sa kam në kokë: Hejjj, shqiptarë, anglezë, norvegjezë, spanjollë, italianë, shkoni në Qeparo dhe do mbeteni shumë, shumë të kënaqur! Ecim dhe teksa përshkojmë shëtitoren e Qeparoit është si të ëndërrosh që fshatin ta bësh si qyteti. Dora dhe mendja e arkitektit të kësaj vepre ndjehen në harmoni me dhuratën e Zotit, natyrën. Vërtetë ai ka nxjerrë një perlë të denjë, ngjitur me perlën e natyrës, detin. Rreth dy kilometra e gjatë, e gjerë 4-5 metra, e shtruar me gurë të zonës, dekorative dhe me vepra arti, kjo pedonale që disa i thonë edhe bulevard, është një ballkon i stërmadh ku pushuesit shijojnë falas bukuritë. Banorët e Qeparoit, por jo vetëm, me të drejtë e quajnë pasaporta e mirëseardhjes. Këtu njerëzit janë miqësorë. Të qeshur dhe komunikues, ndërsa gjuhët e huaja janë një detyrim. Shqipja si gjuhë zyrtare mbetet shpesh pas kur dëgjon me shumicë greqishten. Vetëm se habitesh se si edhe pas 100-200 vjetësh, në një bisedë të lirë banorët flasin greqisht, por ama kur zihen flasin shqip. E kupton menjëherë që këta janë vendasit bilingual (bilingual, dygjuhësh). E qajnë shqipen. E qajnë edhe greqishten, por kur u bën pyetje nuk kanë shumë qejf të bëjnë as patriotin, as politikanin, e aq më tepër historianin. Ky i fundit madje për disa duket si një mallkim. Më shumë e kanë mendjen te tregtia dhe në të shumtën e rasteve meritojnë me plot gojën pronën që kanë. Punojnë gjithë ditën dhe të gjithë janë në funksion të pushuesëve.

TË GJITHË NË PLAZH

Plazhi është plot. Deti i paanë është kristal dhe hapësira e Gjirit në Qeparo i ngjan një pishine të madhe pa shumë thellësi dhe pa gurë e shkëmbinj. Përgjatë gjithë vijës bregdetare shquajmë që derdhen në det rrëke të vockla të ujit kristal. Uji që buron përgjatë gjithë gjatësisë së bregut, nga shkëmbi dhe kalon nëpër guralecë, të mahnit. Është i ftohtë akull, i kthjellët kristal dhe krijon një lidhje interesante me detin teksa derdhet atje. Në cep të plazhit prurja e po këtij uji është më e madhe. Aty është edhe një guvë në shkëmb e mbushur plot me ujë që buron pa pushim dhe më pas rrjedh me gurgullimë drejt detit. Është aq i ftohtë saqë të duket sikur të pret me brisk. E provojmë teksa futemi brenda si eksperiencë, por edhe si sfidë nëse do ta durojmë. Pak a shumë kështu bëjnë të gjithë rishtarët, përveç një gruaje që u kënaq aq shumë saqë ashtu e zhytur piu nga ai ujë aty pa e vrarë mendjen për analizat bakterologjike të këtij burimi. Kishte dëgjuar që është kurativ dhe i kishte mbushur mendjen vetes se po ta pije të shëronte. Lëmë pas ujin e ëmbël dhe drejtohemi për te synimi që kemi ardhur në Qeparo, deti. Nëse futesh në të nuk të vjen të dalësh prej andej. Uji kristal, pa shumë thellësi dhe pa gurë e shkëmbinj, të japin ndjesinë sikur je në Maldives. Të gjithë pushuesit e shijojnë këtë mrekulli. E gjithë gjatësia e bregut është plot me notarë nga 1 deri në 80 vjeç. E kush nuk e provon “pishinën e Qeparoit”. Vargje familjesh shijojnë këto ditë teksa disa ikin dhe të tjerë i zëvendësojnë. Gëzohemi që na bëjnë vizitë familja artiste e kushëririt. Pianistja Ardita, kompozitor Klodi dhe e bija e tyre Eliza udhëtojnë shumë. Lëvizin në çdo cep të Shqipërisë, por kryeqendra e tyre është mali i Tomorrit. Por, ama për ta nuk quhet fare nëse në verë nuk kalojnë ca ditë të mira pranë fshatrave të Bregut. Këto male, këto shkrepa dhe ky det, për ta shërben si muzë e pazëvendësueshme. Një shëtitje me kanoe e fëmijëve tanë, Elizës dhe Frenkit, e këqyrur “me dylbi” nga ne prindërit në breg të detit, janë një sport që na bën xhelozë ne të brezit tjetër që kurrë nuk e kishim këtë mundësi në rininë e tyre. Deti mbushet me të rinj që vozisin varkat dhe një piktor do ta kishte kryevepër një panoramë të tillë.

KAMPINGU NDËRKOMBËTAR

Flamujt e shteteve të botës të ngritur në majat e disa shtyllave ndanë një cepi të shëtitores të bëjnë të mendosh se një takim ndërkombëtar po ndodh aty. Flamuri anglez, flamuri danez, flamuri gjerman, flamuri hollandez e të tjerë janë sinjalistikë se aty është një lloj OKB-je. Para nesh shfaqet një fushë e madhe pranë detit mes ullishtave që gumëzhin në çdo orë të ditës, por edhe të natës. Shpejt kuptojmë se aty strehohen turistët e marrosur pas Shqipërisë. Pikërisht ata që kanë zbarkuar për atë që e quajnë Maldivet e Evropës. Dhjetra familje të sistemuara në rulotë si një shtëpi deri 5 metra katrorë, krevatë portativë, tavolinë portative, kuzhinë, disa valixhe dhe një familjes e lumtur që lëviz dhe vetëm lëviz. Këta janë pjesa e armatës së 9 milionë turistëve që vijnë në një vit kalendarik në Shqipëri. Sigurisht që këta janë low cost, por ne shqitarët ende nuk e kemi atë luks të tërheqim të pasurit e botës. Këta këtu duken që janë pasardhës të popujve nomadë, por ne që i vështrojmë me imtësi na duken sikur na kanë pushtuar. Në këto brigje dikur ky vend vërtetë pushtohej. Në këto brigje, për 46 vjet ky vend mbrohej me anije, armë, topa, tanke nga ushtria e regjimit socialist nga frika e ndonjë pushtimi të mundshëm nga SHBA, Rusia, Anglia, Italia, Gjermania, etj. Ajo që nuk ndodhi për 46 vjet, po ndodh tani. Shqipëria vërtetë është pushtuar, por jo nga ushtri me armë, por nga ushtria e turistëve. Rulotët ia lënë çdo ditë vendin njëri-tjetrit. Ashtu vargje-vargje, disa ikin dhe të tjerë vijnë dhe kalojnë këtu disa ditë. Më pas largohen për t’u stacionuar diku tjetër. Familje nga Italia, Gjermania, Çekia, Danimarka, Hollanda, Spanja e deri nga Australia e Zelanda, vërshojnë teksa zbulojnë parajsën. Vërtetë nuk janë turistë elitarë, por ama një potencial i mirë që e vizitojnë një vend që në agjensitë ndërkombëtare është nga më të kërkuarit. Me këtë stil nuk harxhojnë shumë dhe të mendosh se vetëm pak metra më tutje zengjinët nga Tirana i përçmojnë këto lloj pushimesh. Vetëm pak metra larg turistëve të huaj ndodhet parkimi i madh i fshatit i tejmbushur me fuoristrada luksi me targa AL. Dallohet një kontrast i fortë makinave me pronarë shqiptarë dhe rulotëve të turistëve të huaj. Makinat e shqiptarëve janë markat më të njohura dhe të shtrenjta në Evropë që shkojnë deri në 100 mijë Euro, ndërsa vetë ata evropianët që bëjnë plazh aty vijnë modestisht me disa rulotë që kushtojnë dhjetë fish më pak, apo të marrë me qira për disa qindra Euro. E gjithë kjo panoramë mund ta përmbledhësh me shprehjen e vjetër që përdoret shpesh në Ballkan: Gruan me të vërtetë mund të kesh nga fshati, por makinën doemos duhet ta kesh nga Gjermania. Humori shtohet kur vetë gjermanët që ndodhen në Qeparo nuk duan t’ia dinë shumë këto lukse shqiptarësh. Ata janë aty me rulotë me targën D dhe nuk e vrasin mendjen për salltanete orientale. Det i mrekullueshëm, ushqim i shijshëm dhe me çmim të lirë, siguri dhe aventurë, për ta Qeparoi duket se është ajo që kanë kërkuar. Qëndrimi i tyre është disa ditor, por ajo që na bën përshtypje për mirë është se turizmi i tyre është familjar. Burrë, grua, fëmijë të “armatosur” me mjete uji, lodra, komerdare, kanoe, lopata, varka dhe rroba plazhi, mësyjnë në det duke krijuar edhe aty edhe në ujë një OKB më vete. Më mirë dhe më bukur Shqipëria nuk ka dhe nuk ka patur kurrë.

GRATË ZENGJINE NGA TIRANA QË TË NXJERRIN MALLIN E BUKRËS SË PORTOKALLISË

Qeparoi i ka pushuesit kryesisht familjarë nga Tirana. E zgjedhin këtë vend për shumë arsye. Jeta e qetë, plazhi i mirë, uji kristal, deti si një pishinë natyrore falas, ushqim po aq mirë dhe fëmijët kanë mundësi argëtimi. Ata që janë të pasur, por njëkohësisht të mirëformuar dhe qytetarë, shfaqen të thjeshtë. Nuk duan të duken, bëjnë pushime për vete, shijojnë çdo gjë me përulje me familjen e tyre dhe dallohen që paratë i kanë me djersë. Por, mes tyre nuk mungojnë edhe disa zengjinë që më shumë se pushojnë duan t’u tregojnë hapur pushuesve në krah dhe veçanërisht qepariotëve, se janë njerëz me shumë para dhe bëjnë jetë luksi. Rregulli është të ndjekësh paranë për të kuptuar sa i ndershëm është dikush. Por, një grua këtu e përmbys këtë rregull. Ajo të duket sikur të këshillon se duhet të ndjekësh bashkëshorten e një burri për të parë se sa hajdut e ka burrin. Duket hapur që vetë nuk bën asnjë punë dhe nuk prek gjë me dorë, që nuk ka asnjë profesion, por paratë e burrit biznesmen kanë hedhur aq ujë përpjetë saqë mburret nga mëngjesi në darkë se ka diplomë, se punon në administratë, se bën pushime të gjata tre herë në vit në Maldives dhe se këtu në Qeparo vjen “sa për ta thyer”. Mburret nga mëngjesi në mbrëmje me këdo që takon e bisedon rastësisht. Veshjet minimale që mban në plazh janë maksimale në çmim. Pasdite përshkon shëtitoren vetëm për të treguar se sa e pasur është. Në trup mban fustanin e një marke që kushton 1 mijë Euro dhe çanta në dorë është e një marke që kushton 2 mijë Euro. Celulari i saj me kapak prej ari afërmendsh është i markës së fundit dhe me IQ-në e ulët që mbart nuk e lë pa treguar se llogarinë që ka në instagram e shfrytëzon për të reklamuar nivelin e lartë të pushimeve që bën. Fjalorin oral e ka deri te 20 fjalë, ndërsa të shkruarën në Instagram e zëvendëson me sticker-sa, shumica e të cilave janë zemra të kuqe flakë. Ndonjëherë mban në dorë një roman me dashuri, por sa herë e hap është në të njëjtën faqe. Mërzitet hapur kur bashkëshorti bisedon me dikë pranë. Është gati ta marrë, ta tërheqë prej krahu dhe të largohet kur ai flet me njerëz që “nuk janë niveli i saj”. Shikon vëngër rreth e qark dhe në këto ditë pushimi të Portokallisë na nxjerr mallin e Bukrës. Veçse kjo Bukra e Qeparoit është shumë më moderne. E gjatë, natyrë sportive, duket që shkon rregullisht në fitness, por ama ecjen e ka si të kohës nga provinca nga ka ardhur. Këtë gjë Bukra e Qeparoit, për fat të keq nuk e ka blerë dot. Ika, – thotë,- te hoteli me 5 yje që sipas saj nuk është gjë. Sigurisht, mendojmë ne, s’ka si të jetë ndryshe një hotel që mban brenda të tillë Bukre që përveçse di të harxhojë lekët e burrit me lekë dhe pa shumë mend, nuk di gjë tjetër. Dhe si kjo Bukra, nuk janë pak këtu në Qeparo.

DEFEKTET E QEPAROIT

Nuk mund të mos shkruajmë disa defekte që këta njerëz dhe sidomos pushteti duhet t’i ndreqë. Si të mos irritohesh kur kjo shëtitore kaq e bukur ka nisur të dëmtohet rëndë. Po, po. Po shkatërrohet dita-ditës. Disa shtylla ndriçimi janë dëmtuar, disa janë thyer fare dhe disa të tjera u janë djegur poçat. Më e rënda është se në të gjitha ditët që qëndruam nuk pamë askënd që të vinte dorë. Një biznesmen na tha që i kishte kërkuar bashkisë t’i riparonte vetë, por nuk mori përgjigje. Në disa vende në shëtitore janë hequr gurët. Nuk dihet se çfarë i janë dashur atij njeriu për të bërë një dëm të tillë, por edhe për këtë askush nuk ndërhyn. Një tjetër problem i krijuar ditë pas dite janë mbeturinat. Disa pushues vijnë edhe me atë mentalitetin rural që e trashëgojnë në familje hedhin vend e pa vend plehrat e lëna nga konsumimet në plazh. Janë me dhjetra cepat që janë kthyer në vende të grumbullimit të plehrave. Edhe për këtë nuk shqetësohet kush dhe nuk i prek askush. Rastësisht na kap syri kryetarin e bashkisë në detyrë të Himarës Jorgo Goro. Kalon mes përmes shëtitores. Futet në një lokal i shoqëruar me një person me syze të stërmëdha që duhet të jetë dikushi dhe çudia është se nuk i bëjnë fare përshtypje këto që evidentuam. Nuk ktheu as kokën nga shtyllat e rrëzuara të ndriçimit, as nga shëtitorja e dëmtuar e as nga pirgjet e plehrave. Mjafton kjo për të kuptuar arsyen përse ky ka humbur betejen elektorale me Fred Belerin. Dikush e justifikon se është i komanduar, ndërsa një tjetër ia pret “po, po, se kur ishte i zgjedhur, bënte namin ai”.

QEPAROI I GEORGE TENET

Si gazetar më ka mbetur peng që nuk arrita të intervistoj para shumë vitesh banorin e Qeparoit me emrin Koço Koka, djalin e xhaxhait të George Tenet, ish-shefit të CIA. Sapo kishte dalë libri me kujtime në SHBA “At the center of the storm” dhe ky ishte një rast shumë i mirë, por këmbëngulja ime e vazhdueshme nuk piu ujë. Një mesoburrë na thotë se Koço Koka ka dy vjet që ka vdekur. Hedhim vështrimin lart në Qeparin e sipërm, atje ku Koço kishte shtëpinë. Atje ku jetonin të parët e George Tenet që erdhën nga Korfuzi në vitin 1680 për shkak të një hasmërie. Atje ka jetuar Mino, gjyshi i George që ndërroi mbiemrin nga Koka në Tenet. Atje ka jetuar Jani (John) Tenet, babai i George Tenet që iku në SHBA dhe lindi dy djemtë George dhe William. Pak më tutje në Himarë jetonte Evangjelia, nëna e Tenet dhe e bija e një doktori të njohur, edhe ajo pjesë e komunitetit grek atje. Të gjithë e quanin veten grekë dhe jeta e tyre vërtitej rreth komunitetit grek edhe në SHBA, teksa një ditë George ai u bë shef i CIA-s, por që edhe në librin me kujtim shkroi vetëm kaq: Prindërit e mi erdhën në SHBA nga një vend që sot quhet Shqipëri e Jugut. Dhe Qeparoi ka të drejtë të mburret se ka nxjerrë jo një njeri dokudo, por vetë shefin e CIA-s George Tenet që qendroi në detyrë 8 vjet nga viti 1996 deri në 2004 dhe pvarësisht se nuk ia kishte shumë dëshira ta përmendë as Qeparoin e as Shqipërinë.

PROLOG

Largohemi nga Qeparoi me një shije të mirë për gjithçka që shijuam. Futemi në korsinë tonë në rrugën që shënon kontraston me detin që lëmë pas dhe nisim të shijojmë në kthim relievin e ri. Me kë bisedojmë nuk rrimë pa i thënë: Nëse doni të kaloni kaq mirë pushimet, shkoni në Qeparo! Mos lini pa shijuar Maldivet e dyta të Shqipërisë!

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!