MENU
klinika

Mitsotakis pranon dorëheqjet

Zëvendëskryeministri Bratakos dhe ministri i Shtetit Papastavrou largohen nga qeveria greke

28.03.2024 - 21:02

Ministri i Shtetit, Stavros Papastavrou dhe zëvendëskryeministri, Janis Bratakos, i dorëzuan dorëheqjet e tyre mbrëmjen e kësaj të enjteje (28 mars 2024) tek kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, i cili i falënderoi për bashkëpunimin duke pranuar dorëheqjet.

Konkretisht, në njoftimin e zyrës së shtypit të kryeministrisë greke thuhet:

“Ministri i Shtetit, Stavros Papastavrou dhe zëvendëskryeministri, Janis Bratakos, i kanë dorëzuar dorëheqjet kryeministrit Kyriakos Mitsotakis pak kohë më parë. Kryeministri i falënderoi për bashkëpunimin dhe pranoi dorëheqjet e tyre”.

Sipas CNN, ky zhvillim vjen në një moment kur në parlament debatohet rreth mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë që kanë dorëzuar 4 parti opozitare me nismën e socialistëve.

Dy zyrtarët e lartë që dhanë dorëheqjen thuhet se kanë marrë pjesë në banketin e festës së manjatit grek Evangjelos Marinakis, nën pronësinë e të cilit është edhe gazeta To Vima.

Kujtojmë se kjo gazetë publikoi artikullin që zbuloi se është redaktuar dhe shpërndarë e cunguar biseda e përgjegjësit të stacionit me një prej makinistëve të trenit që u përplas në aksidentin tragjik të Tembit ku humbën jetën 57 vetë.

Artikulli ka sjellë reagimin e Pasokut që ka dorëzuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë me akuzën e manipulimit të provave të aksidentit. Diskutimi në parlament vazhdon.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN