Presidenti Joe Biden urdhëroi forcat ushtarake amerikane në rajon që të ndihmojnë mbrojtjen e Izraelit kundër sulmit iranian dhe të rrëzojnë raketat, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Ai po monitoron sulmin nga dhoma e situatës në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me nënpresidenten e tij, Kamala Harris.
Kujtojmë se Irani kishte premtuar se do të hakmerrej për sulmet ajrore izraelite të javëve të fundit që vranë udhëheqësinë e lartë të Hezbollahut në Liban, grupit militant që është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo partinë e tij politike, e cila ka vende në parlamentin libanez. Ndërsa, grupi palestinez, Hamas, është shpallur organizatë terroriste edhe nga SHBA-ja, edhe nga BE-ja.