Ilir Proda emërohet zyrtarisht drejtor i Policisë së Shtetit, zbardhen paraskenat pse u zgjodh emri i tij mes 11 kandidatëve për të pasuar Rrumbullakun dhe si SPAK e agjencitë e tjera e nxorën të pastër pas hetimeve, ja karriera e tij e suksesshme
Rigels Seliman
Kryeministri Edi Rama firmosi dje emrin e Ilir Prodës si drejtori i Policisë së Shtetit. Së shpejti hapet gara për drejtorët e policive në qarqe. Lajmin e ka bërë me dije ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili zbardhi prapaskenat pse u zgjodh zoti Proda mes 11 kandidatëve për të pasuar Muhamet Rrumbullakun në krye të Policisë së Shtetit. “Sot jam këtu para jush, pasi Këshilli i Ministrave mori një vendim shumë të rëndësishëm, me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave miratoi Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotin Ilir Proda. Pas një konkurrimi mbi më shumë se 10 drejtues të lartë policie dhe verifikimeve të bëra nëpërmjet procesit të pastërtisë së figurës së kandidatëve”, deklaroi ministri Hoxha pas mbledhjes së qeverisë.
Përzgjedhja
Ndërkohë ministri Hoxha iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse e përligj imazhin e ri të drejtorit të Policisë së Shtetit fakti që SPAK më herët zotit Ilir Proda i ka sekuestruar telefonin për të bërë verifikime lidhur me dekonspirimin e një operacioni sa i takon bandave të Elbasanit. “Fakti që të gjitha organet ligjzbatuese u pyeten në një kohë record dhe përgjigjja e tyre ishte shumë e shpejtë, kandidaturat janë verifikuar nga çdo organ ligjzbatues dhe pastërtia e tyre është në përputhje të plotë me ligjin. Ky proces konsiderohet transparent, integrues dhe drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka kaluar këto etapa të verifikimit”, nënvizoi ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Menjëherë pas emërimit të tij si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të hapet konkurrimi, për një proces të ri, sa i përket gjithë drejtuese të policisë në qarqe.
Reagon Karamuço
Nga ana tjetër, profesor i Kriminalistikës, Ervin Karamuço, në një intervistë për mediat, foli dje për zhvillimet e fundit në vend, duke u ndalur edhe tek figura e Ilir Prodës, që u emërua në krye të Policisë së Shtetit, si një nga kandidatët më të vlerësuar për drejtimin. Ai theksoi se Ilir Proda, është një nga ekspertët më të mirë të policisë kriminale në vend. Po ashtu Karamuço u shpreh se Elbasani është nga të paktat qytete këtë vit në lidhje me vrasjet. “Ndodhën disa gjëra dhe ai duhet të mbante përgjegjësi, mes tyre edhe problemi me TIMS. Gjendja e përgjithshme e kriminalitetit në vend. Pati një problem të madh gjatë sezonit turistik, iu bllokuan të gjitha lejet.
Vendosi një 12 orësh dhe u bënë shumë gjëra bashkë dhe mendoj se kishte ardhur koha për të ikur. Por edhe për një formë të rienergjezimit, të një personi të ri. Ilir Proda është një nga ekspertët më të mirë të policisë kriminale në vend. Mbi 20 vite ka punuar për krimet dhe ka ecur gradualisht dhe ka ngjitur të gjitha shkallët. Specializimet e të gjitha të tjerat i ka. Di nga materialet hetimore di që ka qenë shumë efektiv në lidhje me disa nga hetimet nga veprat kriminale. Elbasani është nga të paktat qytete këtë vit në lidhje me vrasje. Risia më e mirë është këtë sezon vere nuk patëm asnjë krim të rëndë ndaj turistëve. Sepse ka të bëjë me imazhin. Por ne patëm një rritje të vrasjeve gati 12 për të gjithë sezonin e verës. Disa ishin vrasje të çastit, krim brenda familjes”, deklaroi Karamuço.
Kush është Ilir Proda?
Ndërkaq theksojmë se zoti Ilir Proda, karrierën në Policinë e Shtetit e nisi në vitin 2005 në Komisariatin nr. 3 në Tiranë për 6 vjet me radhë, për të vijuar me detyra të tjera të rëndësishme, shef në disa komisariate të ndryshme në vend, përfshirë edhe detyra në drejtorinë e përgjithshme në seksionin kundër narkotikëve dhe njësisë kundër krimeve. Për 4 vite me radhë mbajti detyrën e zv/drejtorit të krimeve të Korçës dhe Elbasanit, deri në mars 2023 kur u emërua drejtor i qarkut, po në Elbasan. Së fundmi SPAK i sekuestroi celularin mbi dyshimet e dekonspirimit të operacionit të Çopjave më 31 korrik, i cili pritet të verifikohet në vijim nga ekspertët. Në garën për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ishin edhe drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa, drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hita, Adriatik Tafçiu, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lutfi Minxhozi, Pëllumb Seferi dhe Rebani Jaupi.