MENU
klinika

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!

19.11.2024 - 16:34

NGA SEJDO HARKA

Të shkruash për “Artistin e Popullit” Reshat Arbana, është si të gdhendësh një statujë prej guri, që ka peshën e një cope shkëmbi të përzgjedhur nga malet tona. Historia e jetës dhe e artit të tij skenik, e shtrirë mes dy shekujsh dhe sistemesh diametralisht të kundërta, është historia e gjallë e luftës së popullit shqiptar për të vrarë varfërinë, shtypjen dhe mungesën e lirisë. I lindur dhe rritur në tallazet e luftës për liri dhe zhvillim shoqëror e kulturor, Reshat Arbana, përmes artit magjik, na ka sjellë një botë të gjallë, që s’ka për t’u shuar kurrë nga memoria shqiptare. Është kjo arsyeja, që sot nuk mund të gjesh shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve të vendit tonë, që nuk e njeh këtë mjeshtër të madh të artit skenik. Figurën e tij e gjejmë të ngulitur thellë, jo vetëm në memorien e mijëra njerëzve të thjeshtë, por edhe në vetëdijen e shumë njerëzve të spikatur të kulturës dhe artit, brenda dhe jashtë vendit. Edhe pse për të është folur dhe shkruar shumë, përsëri mbetet diçka për të thënë.

Figurën e këtij artisti të spikatur të artit skenik shqiptar, më të plotë e gjen në librin monografik me titullin “Reshat Arbana, “Artist i Popullit””, shkruar me pasion nga monografisti i njohur dhe shkrimtari Albert Z. Zholi, i cili sot ndodhet në duart e lexueseve. Për shkak se ky libër është shkruar me një gjuhë të ngrohtë, tepër metaforike, ku vend të rëndësishëm zë emocioni dhe bukuria e gjuhës(fiksioni), ai shfaqet para lexuesve si një ‘’bestseller’’ monografik. Ndërthurja mes fakteve dhe ngjarjeve, nga njëra anë dhe rrëfimit të ngrohta e gjuhës elegante, nga ana tjetër, e bën protagonistin Reshat Arbana të fluturojë si me krahë, nga një episod në tjetrin. Narratori, Albert Zholi, për ta bërë këtë libër sa më të pëlqyeshëm e nis me këtë pasazh karakterizues: “Tek sheh aktorin Reshat Arbana si një div, me zërin që bredh furishëm, ai njeri të duket, shqiponjë, është vetë natyra. Magjia e zërit, statura fizike, jehona e shpirtit të tij përbëjnë unikalitetin, që i ka rezervuar një vend të veçantë në panteonin e artit skenik shqiptar. Ai është një ndër yjet shkëlqyes të teatrit dhe kinematografisë shqiptare”.(5) Dhe kjo është më se e vërtetë. Ai spikati me 45 role në filma artistikë dhe dhjetëra të tjerë në shfaqjet teatrale.

Teatri u bë tempulli i aktrimit të tij dhe një trampolinë për t’u bërë artist i pëlqyer i filmave të rrallë. Krahas pasionit, punës së përkushtuar dhe talentit që e kanë shoqëruar tërë jetën, fat i madh për të ka qenë ndihma e pakursyer dhe shembulli i rrallë që i kanë dhënë atij aktorë të tillë të mëdhenj si: Kadri Roshi, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Violeta Manushi, Marie Logoreci, Pjetër Gjoka, Margarita Xhepa, Roland Trebicka, të cilët nuk i harron kurrë. Trinia që i dhuroi atij mjeshtërinë e artit të fjalës dhe të skenës janë: zëri i rrallë, pamja fizike dhe shpirti i artistit të lindur. Por pa punën e pa kursyer dhe pasionin për aktrimin ai nuk do të mundte të krijonte karaktere të tillë të papërsëritshëm si : Sami Ameni, në filmin “Fije që priten”(1976), Prefekti, te “Gjenerali gramafoni”(1987), Bimbashi, te “Liri a vdekje”(1979), Isa Buletini, te “Nëntori i dytë”(1982), Ahmeti, te “Dora e ngrohtë”(1983), etj. Me filma e karaktere të tilla të gdhendur bukur ai është nderuar me disa çmime e medalje.

Po, le të rikthehemi tek historia e udhëtimit artistik të aktorit të suksesshëm Reshat Arbana. Ai ka dy ditëlindje, por ditëlindja e tij e vërtetë është 13 nëntori i vitit 1940, në fshatin Arbanë të Tiranës, ditën kur çizmja e pushtuese e Duçes shkeli mbi trojet shqiptare për të mbjellë vdekjen dhe erën mbytëse të barutit. E, ku mund ta dinte ajo “ditë”, se bashkë me “çizmen” pushtuese të Duçes kishte sjellë edhe klithmat e një fëmije të mbarë, të cilin prindërit e tij, Hamiti dhe Nadireja, do ta quanin Reshat. I pari i fisit të tij ishte Galipi, i cili edhe pse kishte lindur në Turqi, besën dhe fjalën e dhënë e kishte si ligjin më të shenjtë të jetës.

Në gjurmët e shembullit të tij eci dhe stërgjyshi i Reshatit, Islami, i cili në një nga ditët e vitit 1870 mori udhën për t’u kthyer në fshatin Arbanë të Tiranës, ku u lidh ngushtë me tokat pjellore dhe klimën e rrallë. Kur Reshat Arbana nis të flasë për moshën e fëmijërisë, dridhet i tëri. Në ditët e luftës për Çlirimin e Tiranës, ai nuk ishte më shumë se 4 vjeç. Nuk ka për të harruar çastin e vrasjes së vëllait të tij, Ibrahimit, atë natë të mallkuar, kur ai rendte për të soditur ata ‘’zogj metalikë’’ gjigandë( të aeroplanëve), që në vend të puplave, mbanin bomba vrastare. Rrëqethet, kur kujton breshërimën e lotëve të nënës së tij, që i lagin trupin si një shi i nxehtë nga trishtimi për vdekjen e papritur të djalit të saj, Ibrahimit. Arsimin 7-vjeçar e kreu në Shkollën “Naim Frashëri” të Tiranës. Në fillimet e saj, ai shfaqej si një fëmijë i çuditshëm. Në bankat e shkollës shfaqej tepër i urtë, ndërsa në shtëpi si fëmijë trazovaç. Kishte të drejtë Mark Tuen, kur thoshte se, çdokush prej nesh qenka si hëna, e cila ka pjesë të errëta, që nuk do t’ia tregojë askujt. Ai s’ka për të harruar kohën, kur edhe në dimër, në vend të këpucëve mbante nallane druri, brenda të cilave gishtërinjtë e këmbëve të tij tjetërsoheshin në copa akulli.

Në moshën e fëmijërisë ai bënte edhe marrëzira. Askush s’e kishte marrë vesh se “shejtanët” që tmerronin banorët e këtyre anëve ishte Reshati me shokët e tij. Siç duket, Reshati i vogël po shfaqte prirjet e para aktoriale, të cilat më vonë do të shpërthenin si dhunti aktruese. Reshat Arbana, në moshën e adoleshencës së hershme ka qenë shumë i lidhur me shokët dhe familjarët, por veçanërisht me gjyshen dhe xhaxhain e tij, Shaqirin. Ai s’ka për të harruar kurrë trishtimin që ndjeu atë natë dimri të vitit 1951, kur menjëherë pas plasjes së bombës së frikshme në legatën ruse, në portën e shtëpisë së tij trokitën disa policë të armatosur, të cilët prangosën xhaxhain e tij për një faj që nuk e kishte bërë.

“Fatkeqësisht, në moshën 18-vjeçare ai u ndodh i vetëm. Krahas barrës së shtëpisë, ai mbante në gji edhe pasionin për artin dramatik. Shkolla ku mësonte, për fat të mirë kishte dhe një grup artistik. Djaloshi Reshat Arbana s’kishte për të harrur veçanërisht emocionet që ai përjetoi nga duartrokitjet që mori në shfaqjen e parë. Të shihje filma në ato kohëra ishte gjë e rrallë. I pari film që kishte parë Reshati, në ato kohëra ishte ai me titullin: “Kashej i pavdekshëm”. Emocione të rralla ruan ai në çastin kur sheh se si luhej filmi “Debatiku”, nga aktorët tanë të mëdhenj S. Pitarka, B. Levonja, Q. Toro, të cilët më vonë do të bëheshin pedagogët dhe kolegët e tij më të mirë. Emocionohej kur shihte Colin që luhej nga Shpëtim Zani, dhe thoshte me vete: “Áh, të isha unë në vend të tij!”. Ishte koha kur teatri, për të, kishte marrë forcën e “Olimpit”. Pas shkollës së mesme teknike “7Nëntori” ai u caktua të punonte në SMT-në e Peshkopisë. Më vonë atij iu dha e drejta të studionte për matematikë, pa shkëputje nga puna. Por ai nuk kishte lindur të mbyllej brenda botës së numrave.

Mendja dhe shpirti i tij kishin lindur të rendnin pas artit dramatik. Erdhi çasti që edhe djaloshin Reshat Arbana ta ndiqte pas rastësia, që u bë “mbreti i fatit”. Aristoteli, një shok i tij i lagjes, i pati thënë se i kishte shkuar mendja të bëhej aktor. Kjo e papritur ia ndezi pasionin që Reshati kishte për aktrimin. Pasi mësuan se Robert Ndrenika kishte hapur Shkollën e Aktorëve “Aleksandër Mojsiu”, u regjistruan për për të konkurruar. Me fabulën e famshme “Dhelpra e Korbi’’, konkurrova, tregon Reshati, por, sa s’fluturova nga gëzimi, kur komisioni më tha se do të bëhesha një aktor i mirë. Ishte 1 shtatori i vitit 1962, dita kur Reshat Arbana, bashkë me 20 shokë të tjerë të përzgjedhur nisi rrugën e gjatë të shkollimit dhe të aktrimit. Kujton shokët e tij të klasës: Jani Riza, Leka Bunga, Rikard Larja, Vaçe Zela, Demir Hyskja dhe pedagogët e tij të parë: Pandi Stillo, Kadri Roshi, Lazër Filipi, e mbushet plot emocion e krenari.

Kujton se, procesin e mësimit të aktrimit e nisën nga teknikat e qetësimit, duke vazhduar më pas me gjestet, shqiptimin, tonin, ngjyrat, volumin, recitimin, studimin e personazhit, veprimin skenik, monologun, dialogun, dhe lexuesi kupton seriozitetin shkencor e metodik, me të cilin kjo shkollë përgatiste aktorë të mëdhenj. Nuk harron kurrë ndihmesën që shpesh i jepte pedagogu i tij, Kadri Roshi. Edhe sot e kësaj dite kujton këtë këshillë të rrallë që ai ua jepte studentëve dhe gjithë aktorëve, para se të nisnin xhirimin e filmit: “Punë, punë, edhe 100, edhe 1000 herë t’ua them, përsëri është pak”. Një shprehje e tillë e ka burimin tek sentenca brilante e Balzakut: “Artisti është përjashtim, vesi i tij është pun”’(70). Nga pedagogët dhe nga mjeshtërit e aktrimit shqiptar e botëror, R. Arbana mësoi se, aktrimi është një zinxhir i artë që kalon përmes këtyre hallkave: kërko, zbulo, provoko, ngacmo, seleksiono. Emocione të rralla i pati dhënë Reshat Arbanës roli i tij i parë në filmin ‘’Komisari i Dritës’’, me regjisor Viktor Gjikën. Të luaje rolin e këlyshit të Dodës, Nikollë Mustaqeziut, nuk ishte e lehtë. Aq më tepër, kur përkrah kishte aktorë të mëdhenj si Ndrek Luca dhe Loro Kovaçi. Me lojën e tij filmike do t’i bindte shikuesit, se si duhej të sillej një djalë, të cilit partia e kohës i kishte vrarë babanë në Luftë.

Pas mbarimi të shkollës së aktrimit, djaloshi Reshat Arbana priste me padurim t’i hynte profesionit të tij, me të cilin kishte kohë që ishte dashuruar marrëzisht. Por, për çudi, nuk ndodhi kështu. Pa dëshirën e tij, e emërua regjisor i Radio-Tiranës, ku punoi për 9 vjet rresht. Do të vinte fundi i vitit 1974, që edhe për aktorin e ri Reshat Arbana do të çelej drita jeshile, për plotësimin e ëndrrës së shumëpritur. Ja ç’tregon autori i kësaj monografie A. Z. Zholi, përmes gojës së protagonistit R. Arbana. Një ditë Reshatin e pati thirrur në zyrën e tij drejtori i Radio-Televizionit Shqiptar të asaj kohe, Thanas Nano, i cili i kishte propozuar të bëhej pjesë e grupit të regjisorëve të këtij institucioni. Por, Reshati, pasi u mendua thellë, i tha atij prerë: “Ëndrra ime është teatri. Mendoni si për djalin tuaj. Lërmë ta shijoj atë ëndërr që kam vite që pres me padurim ta prek!” Ishte ndihma e aktorit Naim Frashëri dhe mbështetja e një partiaku të mirë si Gani Keçi, të cilët këmbëngulën që aktori Reshat Arbana të bëhet pjesë e Teatrit Popullor. Roli i parë në këtë teatër ishte ai në dramën “Familja e peshkatarit”. Regjisori i dramës, Piro Mani, i dha atij mundësinë të luante bashkë me aktorë të mëdhenj si Drita Pelingu, Besa Imami, Naim Frashëri. Lot të nxehta gëzimi nisën t’i çurgojnë aktorit të ri Reshat Arbana, në çastet, kur shikuesit e duartrokisnin fuqishëm, ndërsa profesori i tij Nikolin Xhoi, plot entuziazëm i thotë atij: “Të lumtë Reshat, ke luajtur bukur”! Natyrshëm, tashmë do të vinin dhe role të tjera si ai i Pilo Shpiragut te “Lumi i vdekur”. Të luaje këtë rol, nuk ishte e lehtë, pasi të tipizoje këtë karakter duhet të depërtoje në psikologjinë e fshatarit myzeqar të fundit të viteve 30. Në fillim kjo premierë u prit mirë. Por kur ajo u pa nga Enver Hoxha në televizor, ai urdhëroi ndalimin e menjëhershëm të saj. Ai nuk mund të pranonte që fshatari shqiptar, që tipizohej përmes Pilo Shpiragut, të pranonte që për bukën e gojës të dorëzonte si kopile vajzën e tij në oborrin e beut. Në vitin 1979, aktori Reshat Arbana u zgjodh deputet, por kurrë nuk e shijoi atë detyrë, që sipas tij s’ishte gjë tjetër veçse përgjegjësi, stërmundim dhe pamundësi për zgjidhjen e halleve të popullit. Kur prindi i një familje me 8 fëmijë i ankohet, se jetonte në një kuvli plot lagështi, këtë ankesë ia përcolli edhe Adil Çarçanit, i cili, pasi e dëgjoi i tha, se halle të tilla të qytetarëve shqiptarë ishin bërë të zakonshme.

Roli i dytë filmik që R. Arbana luajti ishte ai që luajti në filmin “Dueli i heshtur”. Kujtime të rralla ruan ai për aktorin e madh Sandër Prosin, të cilin e quante sensual, madhështor dhe të skalitur. Me këtë mjeshtër të madh të ekranit, Reshati u njoh nga afër kur luanin së bashku në filmin “Nëntori i Dytë”, ku ai luajti rolin e Isës. Do të bëhet aktor i madh Reshati, i tha bashkëshortes së tij, i madhi Kadri Roshi. Ndërsa kur filmi “Nëntori i Dytë” u shfaq përsëdyti, Akademiku Aleks Buda i thotë atij: “Të lumtë Reshat! Na i solle Isën të gjallë”. Një nga karakteret më interesante të shfaqjeve të tij teatrale ishte ai i kryetarit Delo Sinani, te drama “Përballë vetes”, me të cilin fitoi Çmimin e Parë të festivalit teatror shqiptar. Por, karakteri dhe roli më i realizuar i Resht Arbanës mbetet ai i Sami Amenit, te filmi “Fije që priten”, me skenar të Reshat Tozajt. Filmi është një kombinacion mes aksionit dhe ngjarjes mis- terioze. Përmes këtij karakteri, sa mis- terioz, aq dhe djallëzor Reshat Arbana e tregoi veten se ishte një aktor i thekur i lojës dhe veprimit skenik. Një armë e shëndoshë e artit skenik të aktorit R. Arbana ka qenë recitimi. Recitimi që e futi atë në rrugën e suksesit në këtë zhanër të artit skenik është një fragment i marrë nga poezitë e Hamit Aliajt. Më pas ai ka recituar poezi të rralla të shkëputura nga “Mrizi zanave” të Gj. Fishtës. Me diksionin dhe zërin e tij të rrallë, që duket sikur del nga thellësitë e tokës, reciton ai vargje të tilla të rralla: “M’kamë, bre burra, n’kamë…/Çka ini fshehur nën furka t’grave./ Kushtrim, kushtrim, kushtrim”!(147) Akoma më rrëqethës është recitimi brilant i fragmentit të shkëputur nga poema “Hakërrim” e poetit vlonjat Ali Asllani, me vargje të tillë sarkastikë që fshikullon të pangopurit: “Të pabre”’ ju gjeti dreka,/ milioner ju zuri darka”. Në veprimtaritë aktruese të Reshat Arbanës, vend të rëndësishëm zënë dhe intermexot të tilla sarkastike: “O ju njerëz, që më ngjani me kafshët dinake! Nuk u pamë të flisni një herë si njerëz, por si rrugaçë…”, duke fshikulluar politikanët zhurmës e grindavecë. Edhe pas daljes në pension aktori ai do të luante dy role të reja në pjesët teatrale, “Në strehën e të harruarve” dhe “Fishkëllimë në errësirë”.

Reshat Arbana, edhe pse kishte krijuar një emër të mirë si artit dhe ishte i zgjedhur si deputet, për shkak të natyrës së tij, nuk kishte mundur të takohej kurrë nga afër me idhujt e partisë shtet. I vetmi rast, tregon autori i “bestsellerit” A. Zholi përmes gojës së protagonistit, është ai i vitit 1989, në çastet ku ishte duke pritur takimin me Ramiz Alinë në Pallatin e Brigadave. Rastësisht, në ato çaste takohet me Rita Markon dhe Petro Doden, të cilët, si për humor i thanë: “A do të na marrësh edhe ne të luajmë filma. Pse jo, ua ktheu Reshati. Petron, për të luajtur gjermanin, ndërsa ju, Rita rolin e burokratit.”

Edhe jeta e aktorit R. Arbanës ka kaluar përmes dallgëve, mes uljesh e ngritjesh, gëzimesh e trishtimesh, suksesesh dhe dështimesh, të cilat nuk e thyen, por e bënë më të fortë. Ai kaloi edhe vështirësi të mëdha ekonomike, sidomos kur e nxorën në pension të parakohshëm me 60 për qind të rrogës. Nga që familja e tij nuk mund të përballonte shpenzimet minimale familjare, djali i tij, që ende nuk i kishte mbushur 18 vjeç, u detyrua të punonte hamall mielli. Por, në mënyrë të veçantë, Reshat Arbana, s’ka për të harruar kurrë 14 shtatorin e vitit 1998, kur turma protestuesish, me arkivolin e të ndjerit Azem Hajdari mbi supe plagosën rëndë djalin e tij, Atridin, i cili në atë kohë ishte gardist i Republikës. 90 ditë i qëndroi atij te koka e krevatit, në një spital të Janinës, duke iu lutur Zotit t’i shpëtonte djalin e vetëm. Në jetën e tij Reshat Arbana ka kaluar edhe situata të vështira shëndetësore vetjake. Ka ndodhur që ai është gjendur papritur në një nga shtretërit e kardiologjisë. Jam me fat, tregon ai, që zemra ime nuk kishte nisur të dhembte në një nga ato ditët e shumta që unë, hipur mbi biçikletë merrja rrugën për në Arbanë. Por edhe këtë rrezik për jetën Reshati e kaloi me sukses, falë edhe forcës dhe vendosmërisë së tij për ta kapërcyer çdo pengesë e vështirësi në jetë.

Aktori Reshat Arbana gëzon respektin e mijëra njerëzve të shtresave shoqërore dhe moshave të ndryshme. Në këtë monografi gjejmë vlerësime të larta për personalitetin dhe aktrimin e tij të rrallë. Figura e tij është bërë objekt i librave, poezive dhe i shumë shënimeve të kritikës së artit. Artisti i Popullit Vangjush Furrxhi, mes të tjerash thekson: “Reshat Arbana krijoi profilin e tij të papërsëritshëm artistik. “Ndërsa prof. Josif Papagjoni thekson se, R. Arbana hyn natyrshëm në shpirtin e publikut, duke i bërë ata të meditojnë thellë. Për Artistin e Popullit Luftar Paja, aktori R. Arbana qëndron dinjitoz përkrah korifenjve të artit tonë kombëtar. Figura e “Nderit të Kombit” Reshat Arbana është bërë objekt frymëzimi edhe për disa poetë. Ja ç’shkruan Agim Bajrami për këtë figurë të rrallë të artit skenik shqiptar: “Pa dashur ndalem para teje/ Siç ndalet gjithkush para një shenjtori./ Pak Shqipëri të ndjej në deje/ Dhe pakëz vjeshtë me frymë nëntori…”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB