Për herë të parë në vendin tonë do të ekspozohen veprat e piktorit surrealist, Salvador Dali, një nga emrat më të njohur në mbarë botën.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga sot, 5 dhjetor e deri më 12 shkurt 2025, në galerinë Naan. Ekspozita me veprat e Dali, titullohet “Sogno divino” (Ëndërr hyjnore) dhe përmban 100 vepra origjinale të artistit shumëdimensional, si një ilustrim i “Komedise hyjnore” të Dante Alighieri-t.
“Sogno divino” ka për kuratorë Zef Pacin dhe Ajola Xoxën. Galeria Naan do të presë artdashësit çdo ditë, përveç të hënave.
Salvador Dali pati një repertor artistik që përfshinte pikturën, skulpturën, filmin, artet grafike, animacionin, modën dhe fotografinë, ndonjëherë edhe në bashkëpunim me artistë të tjerë.
Ai gjithashtu shkroi poezi, autobiografi, ese dhe kritikë. Temat kryesore në punën e tij përfshijnë ëndrrat, subkoshiencën, seksualitetin, fenë, shkencën dhe marrëdhëniet e tij më të ngushta personale.
Përveç artit, ai bënte bujë edhe për sjelljen e tij të çuditshme që shpesh tërhoqi vëmendjen më shumë sesa veprat e tij artistike. Jeta dhe vepra e tij patën një ndikim të rëndësishëm në surrealistët e tjerë, në pop art, kulturën popullore dhe artistë bashkëkohorë si Jeff Koons dhe Damien Hirst.