Ashtu siç pritej prej ditësh, Partizani ka zyrtarizuar sot afrimin më të ri për repartin e sulmit, Rubin Hebajn.
Sulmuesi shkodran ka kaluar nga skuadra e Domzales në formë huazimi te të kuqtë, me të drejtë blerjen e kartonit të tij në fund të këtij edicioni.
Në klubin e kuq shpresojnë që Hebaj të jetë lojtari që të bëjë diferencën ne repartin e avancuar, ku në sezonin e kaluar ka munguar njeriu-gol, duke krijuar shumë probleme gjatë ecurisë të skuadrës.
Pak ditë më parë, klubi largoi malazezin Nikoliç, të afruar gjatë verës, ndërsa pritet të zgjidhet brenda pak ditësh edhe situata e Edgar Çanit.
NJOFTIMI I PARTIZANIT
Klubi zyrtarizon sot arritjen e marrëveshjes me Rubin Hebaj. Sulmuesi shkodran i cili në 30 korrik mbush 20 vjeç do të jetë pjesë e skuadrës për sezonin e ri futbollistik 2018 – 2019.
Hebaj vjen me formulën e huazimit nga sllovenët e Domzale për një 1 vit dhe klubi Partizani do të ketë të drejtën e blerjes së kartonit në përfundim të sezonit.
Hebaj në rolin sulmues qendre, ka qenë pjesë e të gjitha ekipeve tona kombëtare, aktualisht është edhe kontingjent i ekipit përfaqësues U-21.
Përforcimi më i fundit Hebaj do ti bashkohet skuadrës të dielën më 29 korrik ,datë kur do të fillojnë përgatitjet për sezonin futbollistik 2018 – 2019.