MENU
klinika

Ish-arbitri i FIFA-s

Lëvizje në sektorin e gjykimit në FSHF, vjen një emër i njohur

31.07.2018 - 14:03

Vjen lëvizja e parë në sektorin e gjykimit në FSHF. Petrit Brahja nuk do të jetë më në rolin e dizenjatorit të arbitrave dhe në vend të tij do të emërohet Sokol Jareci.

Pas një edicioni problematik si ai 2017-2018, pritet që gjykimi të ketë disa ndryshime sa u përket strukturave drejtuese. Bëhet me dije se Petrit Brahja nuk do të jetë më në rolin e caktuesit të trupave të gjyqtarëve për edicionin e ri.

Në vend të tij pritet që të emërohet Sokol Jareci. Jo vetëm kaq, por “gradimi” i Jarecit mund të jetë i shumëfishtë, në mënyrë që ai të ketë rol vendimmarrës edhe në vlerësimin e paraqitjeve që bëjnë arbitrat javë pas jave.

Në fakt, për të ndodhur diçka e tillë, duhet të ketë edhe ndryshime të vetë strukturave të sistemit të arbitrimit në vendin tonë, ndaj mbetet për t’u parë roli fiks i tij që do të ketë në vlerësim.

Jareci është një nga ish-arbitrat ndërkombëtarë në vendin tonë. Ai ka qenë një prej iniciatorëve dhe promotorëve të Akademisë së Arbitrimit, ndërkohë që mban edhe rolin e drejtorit të saj.

Këtë vit ka marrë pjesë në disa ndeshje kualifikuese në kompeticionet e UEFA-s për Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës si vëzhgues.

Në maj të vitit 2018 ka qenë vëzhgues në finalen e “Euro 2017”, që u zhvillua në Angli, ndërkohë që në kualifikueset e edicionit të shkuar të Ligës së Europës, ka qenë vëzhgues në takimin Milan-Shkëndija.