MENU
klinika

Bundesliga, Java 1

Bayern Munchen starton me hap kampioni

24.08.2018 - 22:41

Bayern Munchen i ka bërë nisjen e duhur sezonit të ri në Bundesliga, teksa ka fituar 3-1 ndeshjen e parë në shtëpi kundër Hoffenheim, edhe pse nuk e ka pasur të lehtë.

12 minuta lojë i kanë mjaftuar Bayern-it për të shkuar afër golit, me gjuajtjen kërcënuese të Boateng që është bllokuar nga mbrojtja mike. Goli ka ardhur 11 minuta më pas, kur Thomas Muller ka dërguar topin në rrjetë me një goditje të saktë me kokë pas një goditje nga këndi të Joshua Kimmich.

Pjesa e parë është mbyllur me një lajm të keq për bavarezët, të cilët kanë humbur 22-vjeçarin Coman për shkak dëmtimi. Në vendin e tij është aktivizuar Arjen Robben. Në pjesën e dytë, në minutën e 56-të, Bayern ka realizuar golin e dytë me Robert Lewandowski, por që është anuluar nga arbitri për pozicion jashtë loje.

Një minutë më vonë ka ardhur goli i barazimit i miqve, të cilët kanë shënuar me Szalai, që ka mposhtur Neuer me një goditje të saktë me të djathtën. Ekuilibri ka zgjatur vetëm 12 minuta.

Bayern që është kthyer në avantazh me një penallti të Robert Lewandowski-t, i cili ka gabuar në tentativën e parë, me topin që është dërguar në rrjetë nga Robben, por që anuluar me ndërhyrjen e VAR, që ka konstatuar futjen para kohe në zonën e rreptësisë të holandezit.

Sulmuesi polak nuk ka gabuar të dytën, duke i dhuruar skuadrës së tij avantazhin. Në minutat e fundit ka ardhur edhe goli i tretë i vendasve, me Muller që ka devijuar në rrjetë një goditje të Goretzka, por që është anuluar nga VAR për një prekje të topit me dorë.

Gjithsesi, vendasit nuk janë dorëzuar dhe kanë arritur të mposhtin teknologjinë në minutën e 91-të me Arjen Robben, që ka fiksuar shifrat në 3-1. Kështu, Bayern ka arritur të marrë tri pikët e para të sezonit të ri të Bundesliga-s.