Të dielën do të zhvillojë ndeshjen e tij të parë me fanellën e Juventusit, një miqësore në “Villar Perosa”, ndaj Cristiano Ronaldo ka rrëfyer për “Juventus TV” emocionet e tij pas transferimit nga Real Madrid te bardhezinjtë.
“Jam i lumtur, pasi kam ëndërruar që fëmijë që të luaja me fanellën e Juventusit. Tani që ndodhem këtu gjithçka është e bukur. Jam gati dhe i përgatitur për të fituar të tjerë trofe”, – u shpreh CR7 në intervistën e tij.
Në këtë miqësore, Ronaldo pritet të luajë të paktën 45 minuta me fanellën e kampionëve të Italisë, por aq do të mjaftojë për tifozët.
“Dua t’i falënderoj, pasi më kanë pritur në mënyrë fantastike gjatë gjithë këtyre ditëve që jam në Torino.
Ndaj, detyra ime do të jetë të jap maksimumin në fushë, për të qenë profesionist dhe të ndihmoj skuadrën që të përmirësohet. Kështu mund të fitojmë shumë tituj së bashku. Dua ta shijoj këtë moment”, tha Ronaldo.
“Pse zgjodha Juventus? Kam dashur ta njoh këtë ekip që fëmijë, më pëlqente. Bëhet fjalë për një nga klubet më të mëdha në botë, më të madhin në Itali.
Ishte një zgjedhje e lehtë, pasi bëhet fjalë për një klub të jashtëzakonshëm”, – tha Ronaldo, që do të luajë ndaj ekipit që eliminoi sezonin e kaluar në Champions League, pas një rofeshate të jashtëzakonshme.
“Edhe për mua ai gol ishte i papritur, nuk më kishte ndodhur kurrë më parë. Pastaj u emocionova kur pashë stadiumin që më duartrokiste”, – tha sulmuesi portugez.
CR7 rrëfen se ato duartrokitje e bindën edhe më shumë të zgjidhte Juventusin: “Ishte një ndjesi e bukur. U befasova nga ato duartrokitje, por nga ai moment Juventusi më pëlqeu edhe më shumë. Kuptova që këtu Cristianon e donin shumë.
Jam profesionist prej 15 vitesh dhe metodat e mia të punës kanë qenë gjithnjë të njëjta. Shpresoj të adaptohem sa më shpejt me Serinë A, por kjo nuk më shqetëson. Është një sfidë e re dhe mua më pëlqejnë sfidat”, – përfundoi Cristiano Ronaldo.