MENU
klinika

Ikona dhe miti i futbollit rus

Lev Yashin, i vetmi portier fitues i “Topit të Artë”

22.08.2018 - 21:41

Botërori “Russia 2018” përfundoi me sukses, ndërsa emri i tij vetëm sa u lartësua edhe më shumë. Sa përmend futbollin rus, menjëherë emri i parë që të shkon ndërmend është Lev Yashin, i pari dhe i vetmi portier që ka marrë “Topin e Artë”.

Por jo vetëm kaq, ai ishte edhe në posterin zyrtar “Russia 2018”, përpos shumë e shumë nderimeve të tjera që i janë bërë ndër vite.

Një sektor me emrin e tij në impiantin e rinovuar të stadiumit të Dinamos së Moskës dhe në rrugë të ndryshme të Rusisë; dy statuja në Moskë; një statujë tjetër në Rio de Janeiro; një monedhë në nder të karrierës së tij;

Një çmim si portieri më i mirë në Kupën e Botës; rekordin e klubit si portieri me 100 ndeshje pa pësuar gol në futbollin rus; një këngë nga Vladimi Vysotsky; poema nga  Robert Rozhdestvensky dhe Yevgeny Yevtushenko; një grup heavy metal me emrin e tij, i formuar në Greenock.

lev yashin 2
lev yashin 2

“TOPI I ARTË” – Janë edhe shumë të tjera. Nëse do ta gjykonim një futbollist për trashëgiminë kulturore që i ka lënë njerëzimit, janë të paktë ata që mund të arrijnë në nivelin e Lev Yashin.

Ai konsiderohet nga të gjithë si portieri më i mirë në historinë e futbollit. Në 50 vitet e fundit, vetëm Dino Zoff (1973) dhe Gianluigi Buffon (2006) kanë arritur të dalin mes dy më të mirëve.

Por trofetë e fituar nuk janë ndalur te “Topi i Artë” i 1963-it. Yashin është zgjedhur edhe në formacionin më të mirë të gjitha kohërave, skuadrën më e mirë e të gjitha kohërave në një Botëror.

Më 1999-ën është votuar si atleti rus i shekullit të 20-të. Ai mendohet të ketë zhvilluar 270 ndeshje pa pësuar gol në karrierën e tij dhe të ketë pritur 150 penallti.

“Gëzimi për të parë Yuri Gagarin të fluturojë në hapësirë zbehet vetëm para gëzimit për një penallti të pritur”, – është një nga shprehjet me të famshme të Yashin.

Megjithatë, për atë ka pasur më shumë rëndësi ndikimi që ai mund të kishte te njerëzit dhe sporti, jo trofetë.

Yashin nuk ka qenë portieri i parë i historisë, por është ai që ndryshoi përgjithmonë këtë pozicion.

Nuk është një ekzagjerim të thuhet se ai është shpikësi i portierit modern; askush nuk e ka çuar kaq përpara një rol në një kohë kaq të shkurtër.

yashin 3
yashin 3

REVOLUCIONI I PORTIERIT – Yashin nuk ka qenë mbrojtësi-portier i parë i historisë (por ka qenë më i mirë se Manuel Neuer); ai nder i takon hungarezit Gyula Grosics dhe argjentinasit Amadeo Raul Carrizo.

Megjithatë, ai ka sjellë risi të tjera. Yashin ka qenë një nga portierët e parë që ka kuptuar se mund ta ndihmonte ekipin edhe në sulm, duke nxjerrë skuadrën në kundërsulm me pasime të shpejta.

Ai gjithashtu ka qenë nismëtari i grushtimit të topit në vend të kapjes së tij, gjatë një kohe kur portierët nuk ishin shumë të mbrojtur nga arbitri.

Por cilësia e tij më e madhe ishte personaliteti që tregonte në fushë. Para Yashin, portieri kishte një rol pothuajse pasiv, duke reaguar sipas situatave që paraqiteshin, por që nuk fliste kurrë.

Nëpërmjet tij bota u njoh me një portier që organizonte mbrojtjen gjatë goditjeve standarde të kundërshtarit në një mënyrë që nuk ishte parë kurrë më parë.

Inovacioni nuk është asgjë pa ekzekutimin, dhe Yashin kishte një aftësi të madhe që i ka siguruar atij një pseudonim unik; “Merimanga e Zezë”.

Kishte një kërcim të mrekullueshëm, shpejtësi dhe elegancë. Pozicionimi i tij, parashikimi i asaj që do të bënte kundërshtarit dhe pritjet e jashtëzakonshme nuk ishin parë në të kaluarën dhe ai u bë pika e referimit për portierët e së ardhmes.

Yashin nuk ka qenë arsyeja e vetme pse Bashkimi Sovjektiv fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të 1956-ës dhe Europianin e 1960-ës, por ai ka qenë frymëzimi i tyre.

Lev Yashin ka qenë një super portier”, ka thënë legjenda e Anglisë, Gordon Banks. Ai ishte shumë i shkathët, pavarësisht se ishte trupmadh, ishte i shkëlqyer. Një nga më të mirët që kam parë. Ka qenë një shembull për portierët për 10 apo 15 vitet pasuese”. Mund të dyfishosh atë periudhë dhe përsëri të jesh i saktë.

yashin 4
yashin 4

FUTBOLL, POR EDHE HOKEJ – Por futbolli rus dhe bota e futbollit ka rrezikuar të mos e njihte kurrë të madhin Yashin.

I lindur në 1929-ën, ai ka qenë i detyruar të punonte në një fabrikë ushtarake kur filloi Lufta e Dytë Botërore, por një problem nervor, kur ishte 18 vjeç, e detyroi të mbetej pa punë.

Ai i është bashkuar ekipit të të rinjve të Dinamos së Moskës, por debutimi në një miqësore është shkatërruar përsëri nga nervat, dhe Yashin ka pësuar një gol nga portieri kundërshtar.

Ato nerva mund t’i kenë kushtuar Yashin-it tre vite të karrierës, por humbja e futbollit ka qenë një fitore e hokejit në akull. Dinamo e Moskës e bëri portier të skuadrës dhe Yashin është konsideruar një nga më të mirët e kampionatit.

Më pas largimet e Valter Sanaya-s dhe Alexei Komich kanë detyruar Yashin të përqendrohet përsëri te futbolli.

Një vit më vonë ai ka fituar kampionatin dhe kupën dhe ishte bërë numri një i Bashkimit Sovjetik. Për sa u takon nervave, Yashin ka pasur një përgjigje të thjeshtë: Sekreti është të pish një cigare për t’u qetësuar dhe të kthesh një gotë me alkool të fortë për të qetësuar muskujt”.

yashin 5
yashin 5

BOTËRORI – “Topi i Artë” i fituar në 1963-in është shoqëruar me shumë polemika. Në Botërorin e 1962-it, 33-vjeçari është fajësuar për eliminimin ndaj Kilit në çerekfinale (më pas është zbuluar se ai ka luajtur me një dëmtim për pjesën më të madhe të ndeshjes), me medien ruse dhe atë të huaj që ka shkruar se karriera e tij kishte marrë fund.

18 muaj më vonë ai është shpallur lojtari më i mirë i botës pas vetëm gjashtë golave të pësuar në 27 ndeshje të kampionatit rus, me 22 takime të mbyllur pa gol.

Në 1967-ën, dhe pas tri përfshirjeve në formacionin më të mirë Botës, ai është nderuar me Urdhrin e Lenin-it, nderimi më i madh që mund t’i jepej shtetasve sovjetikë, në moshën 37 vjeç.

Megjithatë, statusi i ikonës i Yashin në Rusinë moderne nuk vjen vetëm nga talenti i tij, por edhe për shkak të lidhjes emocionale që kishte me publikun.

TRAGJEDIA – Ai ishte një njeri i përulur dhe i gëzuar, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte të tjerët. Megjithatë, kjo histori ka një fund tragjik.

Në 1986-ën, pas disa mosmarrëveshjes me presidentin e Dinamon e Moskës, i cili e kishte kërcënuar se do ta largonte nga klubi, një trombozë ka sjellë amputimin e këmbës së tij.

Më pak se katër vite më pas, ai humbi një betejë të shkurtër me kancerin e stomakut dhe është ndarë nga jeta në sallën e operacionit.

Ishte vetëm 60 vjeç. Gjithë Rusia ka qenë në zi, teksa Yashin-it i është bërë një funeral shtetëror me mijëra njerëz që kanë mbajtur radhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

“Vetëm Yashin, vetëm Dinamo”, vazhdojnë të këndojnë në “Arena Khimki” gjysmë shekulli pas tërheqjes së tij.

Është një kujtim për t’i treguar lojtarëve të sotëm se çfarë kriteresh duhet të plotësojnë, për sa i takon përpjekjes, stilit dhe mentalitetit, për të qenë të mëdhenj.

Të gjithë ata që e marrin mesazhit e atij kori i pret një detyrë shumë e vështirë; askush nuk do të arrijë t’i afrohet madhështisë së portierit më të madh të të gjithave kohërave.