Vërtet mëkat! Mund të fitosh, por eliminohesh. Kukësi ka fituar 2-0 ndeshjen e kthimit të turit të tretë eliminator në Europa League ndaj gjeorgjianëve të Torpedo Kutaisi, por është skualifikuar nga ky kompeticion, duke mos shkuar dot në “play-off”.
Nënkampionët e Shqipërisë kishin humbur ndeshjen e parë në Tbilisi 2-5. Sot verilindorët shënuan nga një gol për secilën pjesë dhe “flirtuan” me kualifikimin, pasi në fund u dhanë 8 minuta shtesë, por goli i kualifikimit nuk erdhi.
Goli i parë u shënua në minutën e 29-të nga Rexhinaldo, që ktheu në gol penalltinë e fituar nga vetë ai, kur më parë Kukësit i ishte mohuar një 11-metërsh.
Edhe goli i dytë është shënuar po me penallti dhe sërish i njëjti autor Rexhinaldo. Minuta e 75-të dhe 2-0 për Kukësin. Lojë kishte plot, por mungoi një gol tjetër.