MENU
klinika

Europa League

Mënyra se si do të luajë Kukësi sot ndaj Torpedos

16.08.2018 - 16:10

Në orën 19:00, në “Elbasan Arena”, Kukësi do të luajë ndeshjen e kthimit eliminator ndaj gjeorgjianëve të Torpedo Kutaisi, që fituan në shtëpi 5-2.

Porta dhe mbrojtja e Kukësit do të ndryshojnë tërësisht për ndeshjen e kthimit ndaj Torpedo Kutaisit.

Në seancën e fundit të zhvilluar dje në stadiumin “Elbasan Arena”, trajneri Armando Cungu ka provuar një formacion me tre ndryshime në krahasim nga ndeshja e parë.

Mbrojtësit Rustem Hoxha dhe Harrallamb Qaqi janë ulur në stol, ndërsa mungon portieri Stivi Frashëri.

Në portë do të debutojë kosovari Faton Maloku, ndërsa në krahun e djathtë të mbrojtjes rikthehet si titullar Edi Maliqi.

Pas pezullimit është i gatshëm edhe Albi Alla, që do të formojë dyshen e qendrës së mbrojtjes me kapitenin Ylli Shameti.

Me skemën 4-4-2, që kur ka topin kundërshtari bëhet 4-4-1-1, pasi Rexhinaldo është disi më i tërhequr, Cungu do të kërkojë të befasojë gjeorgjianët që në start.

Nga krahët e mesfushës janë Çyrbja dhe Melo, ndërsa në qendër Musolli e Dzaria. Maja e sulmit është me Harbën dhe Rexhinaldon në mbështetje të tij.

Në stërvitjen e fundit mungoi Musolli për shkak se kishte temperaturë, por sot pritet në fushë.