Pas ngjarjeve në Korçë, në ndeshjen hapëse të Kategorisë Superiore në futboll, skuadra e Partizanit ka reaguar zyrtarisht në lidhje me episodet e ndodhura në takimin ndërmjet Skënderbeut, që përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të vendasve.
Më shumë se sa për vetë rezultatin, takimi u përfol për inicidentet mes tifozërive. Tifozët e Skënderbeut dhe ata të Partizanit u përleshen mes tyre, duke ndërprerë takimin për rreth 15 minuta. Në fund, plasi diskutimi i madh se policët duhet të jenë në stadiume.
Klubi i kuq, në reagimin e tij, dënon dhunën dhe mbështet “fair-play”-n, por thekson se prezenca në stadium e stjuartëve është detyrim ligjor që pas ndryshimit të tij.
“Saktësojmë se klubi ynë nuk pajtohet kurresi me ngjarje të tilla të cilat prishin imazhin dhe nuk i shërbejnë futbollit të luajtur dhe Fair Play- it në fushë dhe tribuna.
Përgjatë gjithë ditëve të fundit episodet e shfaqura në Korçë janë komentuar si dështim i eksperimentit pa prezencën e forcave të rendit. Fakt është se prezenca e stjuartëve privatë në stadiume nuk mund të quhet eksperiment nga momenti kur është bërë ndryshimi i ligjit dhe rolin kryesor në mbarvajtjen e garës e ka klubi pritës.
Theksojmë se klubi Partizani për vite me radhë ka zbatuar me rigorozitet dhe korrektësi organizimin dhe mbarëvatjen e ndeshjeve në kryeqytet, duke mos shënuar qoftë edhe incidentin më të vogël, i cili cënon aktivitetin apo garën sportive”, – shkruhet në një pjesë të deklaratës.