Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, z.Ilir Shulku i është drejtuar sot me një shkresë zyrtare Drejtorisë së Përgjithëshme të Policisë së Shtetit për të sjellë edhe një herë më vëmendjen e tyre në respekt të zbatimit të ligjit, rolin dhe angazhimin e forcave të rendit gjatë ndeshjeve të kampionatit kombëtar të futbollit.
Duke marrë shkas nga incidenti i fundit, të premten në Korçë, sekretari Shulku i është drejtuar zyrtarëve më të lartë të Policisë së shtetit për të riparë sa më shpejt pozicionin e tyre rreth angazhimit për shmangien e incidenteve në stadiumet shqiptare. Në letrën e tij, sekretari i përgjithshëm i FSHF, z.Ilir Shulku citon:
Të nderuar zotërinj!
Duke marrë shkas nga incidentet e ndodhura në ndeshjen e javës së parë të kampionatit të futbollit “Kategoria Superiore”, Federata Shqiptare e Futbollit, ju drejtohet për të sjellë në vëmendjen tuaj çështjet e sigurisë së tubimeve sportive.
Në vijim të korrespondencës midis dy institucioneve tona, FSHF dhe anëtarët e saj, janë duke marrë masat të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të sigurisë në impjantet sportive.
Këto masa, përfshijnë ndër të tjera njoftimin e policisë së shtetit me shkrim të paktën shtatë ditë kalendarike përpara zhvillimit të ndeshjes, me qëllim planifikimin e të gjitha masave të nevojshme të sigurisë për mbarëvajtjen e saj.
Në këtë njoftim, klubet anëtare do të përcaktojnë edhe shërbimin privat të sigurisë fizike (SHPSF) të kontraktuar për marrjen e masave të sigurisë në mjediset sportive.
Sakaq, konform parashikimeve të nenit 51 të Ligjit “Për Sportin” ruajtja e rendit dhe e sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit, për këtë arsye do t`ju luteshim që në zbatim të kësaj dispozite, të angazhoheni për të garantuar sigurinë e ndeshjeve përmes prezencës së forcave të rendit në të gjitha impiantet sportive.
Incidenti në stadiumin “Skënderbeu” Korçë, dëshmoi se prezenca e policisë së shtetit brenda mjediseve sportivë është më shume se sa e domosdoshme për garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin agravimit të situatave.
Sa më sipër edhe për vetë faktin se forcat e rendit, gjithsesi janë gjithnjë të pranishme gjatë zhvillimit të ndeshjeve jashtë rrethimit të stadiumeve.
Me besim në një reagim pozitiv nga ana juaj.
Ilir Shulku