MENU
klinika

Numri 1 i Skënderbeut

Takaj: Pa polici, do të ikin presidentët!

19.08.2018 - 11:53

Në ndeshjen hapëse të kampionatit, Skënderbeu-Partizani, gjithë vëmendjen e mori dhuna që shpërtheu mes tifozëve në pjesën e dytë. Ishte një ndeshje testuese për sigurinë, ku nuk pati forca të Policisë së Shtetit, por polici private dhe kjo e fundit u pa qartë se nuk mund ta garantonte rendin.

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka theksuar se siguria në stadiume nuk mund të garantohet nga kompanitë private, ndaj dhe duhet ndryshuar ligji, sepse në të kundërt do të ikën presidentët e klubeve:

“Jam i tronditur nga ajo që ndodhi gjatë ndeshjes, një ngjarje që të lë një shije të keqe. Është e pamendueshme të largosh policinë nga stadiumet tona dhe të mbash rregull me polici private.

tifozet e skenderbeut
Tifozët e Skënderbeut

Ka kosto të lartë dhe jo të gjitha klubet e përballojnë, ndërkohë që policitë private nuk kanë mundësi të garantojnë sigurinë. Kështu i bie që presidentët të shtojnë lekë nga xhepi, pasi nuk i mbulojnë dot shpenzimet me të ardhurat që kanë.

Duhet ndryshuar ky rregull, ky ligj, sepse ka dështuar. Futbolli në Shqipëri nuk është ende gati për një lëvizje të tillë. Nëse vazhdohet kështu, nuk do të jetë e largët dita, kur presidentët do të largohen nga klubet”, – ka thënë mes të tjerash presidenti i Skënderbeut.