Nismës së një dite më parë të presidentit të Kukësit, Safet Gjici, për rikthimin e policisë në stadiume, i është bashkuar edhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj.
Në një deklaratë dhënë për kanalin zyrtar të klubit, Takaj ka shprehur mbështetjen ndaj idesë së bojkotit të kampionatit, nëse Policia e Shtetit nuk rikthehet në stadium për të garantuar rendin dhe qetësinë.
“Për ne që duam qetësinë dhe që duam të funksionojë futbolli në Shqipëri, që të shkojë në rrugën normale, normalisht do kërkojmë edhe rendin dhe qetësinë në stadiume.
Është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit. Në rast se ne investojmë për futbollin shuma shumë të mëdhaja dhe të prishet gara për shkak të disa njerëzve të pa përgjegjshëm, është shumë e rrezikshme për ne që merremi me këtë punë.
Jam dakord me atë që ka thënë Gjici dje, dhe i bashkohem apelit të Gjicit dhe jam gati që për këtë çështje që nesër të bojkotohet kampionati. Nuk është vetëm Superliga, është dhe Kategoria e Parë dhe e Dytë. Imagjinoni se çfarë mund të ndodhi në momentet kur mund të nxehet gara”-është shprehur ndër të tjera Takaj.
Më tej ai u ka bërë thirrje dhe kolegëve të tjerë të Superligës që të reagojnë dhe të mos presin çfarë do të ndodhë, pasi situata mund të precipitojë më keq, sesa ndodhi në ndeshjen e parë në Korçë.
“Unë e di se sa i kanë kapacitetet të gjithë klubet shqiptare për ta përballuar me stjuartë dhe u bëj thirrje këtyre, që rrijnë dhe presin të bëhet çfarë të bëhet, që të çohen sot sa nuk është vonë.
Sepse unë thashë që e di kapacitetin financiar të të gjitha këtyre klubeve, që janë pas nesh, nuk kanë kapacitete për të paguar stjuartë. Kosto është shumë e madhe për të përballuar ndeshje të mëdha, ndeshje derbi, ndeshje të nxehta të kampionatit shqiptar.
Ka një kosto shumë të madhe dhe në fund asnjë nga këto kompanitë me stjuard nuk ma merr mendja të përballojë dhe të marrë përsipër edhe rriskun në situatat që do ketë kampionati”-thotë numri një i korçarëve.
Sipas Ardjan Takaj, ashtu si Safet Gjici, arsyet pse Policia e Shtetit duhet të rikthehet në stadiume, kanë të bëjnë me koston e madhe që kanë klubet për kryerjen e pagesave ndaj Policisë Private si dhe mungesën e ndërgjegjësimit të tifozëve shqiptarë.
“Ua rekomandoj sepse e shoh që gara do të jetë shumë e nxehtë, ky vit do të ketë shumë pretendentë. Ekipet janë përforcuar, ka hyrë një seriozitet më i madh në garë, kanë investuar që të gjithë, por që t’i mbrojnë investimet duhet ta bëjnë sot.
Është e papërbllueshme, kur flet Skënderbeu apo Kukësi, mendo për këto klubet e tjera që janë me buxhetet më të vogla, them që është shumë e papërballueshme. Policia e shtetit është në zbatim të ligjit dhe nëse ligji do të zbatohet si më parë, atëherë do të rikthehmi në rrjedhën normale.
Tani nuk është momenti në Shqipëri për të hequr policinë nga stadiumet. Duhet të jepen shenja vit pas viti që situata po qetësohet, njerëzit po ndërgjegjësohen, atëherë jemi gati dhe ne për ta larguar policinë nga stadiumet.
Stjuartët janë njerëz të zakonshëm, nuk janë forca speciale. Në të gjithë botën ata janë njerëz të zakonshëm që marrin njohuri të zbatojnë rregulloren dhe të orientojnë tifozët” – përfundon Ardjan Takaj.