Ditët e fundit është përfolur në media se drejtori i ri sportiv i Vllaznisë nuk ka kualifikimet përkatëse dhe mungesë license për të ushtruar detyrën e re në klubin shkodran.
Por sot, klubi i Vllaznisë, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka sqaruar përfundimisht pozicionin e Engin Firat dhe turku do të vazhdojë të ushtrojë pa problem detyrën e drejtorit sportiv.
DEKLARATA E KLUBIT TË VLLAZNISË
“KF Vllaznia sh.a konstaton se që prej momentit të emërimit të z. Engin Firat në postin e drejtorit sportiv të klubit tonë, në adresë të tij ka patur sulme nga më të ndryshmet. Më së fundmi, në media pretendohet se nuk ka liçensën e duhur për të kryer këtë funksion.
KF Vllaznia sh.a bën të ditur se që përpara zyrtarizimit të tij në këtë post, ka komunikuar me FSHF-në prej së cilës ka marrë konfirmimin se me liçensat që z. Firat disponon, ka të drejtë të kryejë funksionin e drejtorit sportiv.
Liçensat dhe kualifikimet që ai disponon dhe që KF Vllaznia i ka bërë publike në momentin e emërimit të tij, ia bëjnë të mundur kryerjen e të gjitha detyrave që përfshin ky post, duke futur këtu menaxhimin sportiv të klubit, hartimin e politikave sportive, drejtimin e Akademisë, madje edhe futjen në dhomat e zhveshjes në ndeshjet zyrtare..
“Pengesa” e vetme është pamundësia për të qëndruar në pankinë gjatë zhvillimit të ndeshjeve zyrtare. Një gjë e tillë sigurisht që nuk është e nevojshme, sepse njeriu që qëndron në pankinë është trajneri.
Në këto rrethana, KF Vllaznia kërkon nga ana e mediave dhe gjithë opinionit sportiv mirëkuptim për të na lejuar të vazhdojmë punën që kemi nisur.”