Java e dytë e Kategorisë Superiore do të nisë me takimin mes Tiranës dhe Teutës në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku kryeqytetasit do të tentojnë të marrin 3 pikëshin e parë në ndeshjen e dytë radhazi në shtëpi.
Në konferencën para ndeshjes, trajneri i Tiranës, Ze Maria ka folur për takimin që e pret këtë javë, duke vlerësuar maksimalisht Teutën, ndërkohë që është ndalur edhe te humbja në fundjavën e kaluar përballë Kamzës në shtëpi.
“Teuta është një ekip shumë i mirë, pasi pashë ndeshjen e tyre me Flamurtarin dhe mund të them se kanë lojtarë shumë të fortë e të mirë. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën nesër dhe të shënojmë gola.
Është shumë e rëndësishme, sidomos në fillim të sezonit, të shënosh gola dhe jo të pësosh, për këtë kemi punuar këto ditë. Ndeshja e parë na ka lënë disi gjurmë psikologjike, por duhet të mendojmë për javën që na pret, jo për atë që iku. Duhet të luajmë si Tirana e të fitojmë ndeshje” – u shpreh fillimisht Ze Maria.
Formacioni në ndeshjen me Kamzën?
“Luajtën shumë prej lojtarëve të sezonit të kaluar, sepse futbollistët e ardhur këtë verë, nuk janë ende gati për të zbatuar idetë e mia në fushë. Ata po përmirësohen nga dita në ditë dhe shumë shpejt do të startojnë si titullarë.
Ndaj e kam theksuar gjithmonë se Tiranën e vërtetë do ta shihni vetëm pas javës së tretë”, përfundoi trajneri i Tiranës, Ze Maria, që ka sezonin e dytë në krye të bardhebluve, me ndryshimin që këtë vit është në Superiore.