MENU
klinika

Dr. Blerim Arapi, Anestezist-Reanimator

Femra! Dhimbja mori fund! Tani mund të lindni pa…

16.09.2018 - 14:06

Lindja është një proces natyral e fiziologjik dhe si i tillë nga shumë mjekë rekomandohet për nënat shtatzëna. Ndërsa lindja nëpërmjet operacionit cezarian lihet në varësi të indikacioneve të qarta si:

  • Pozicioni jonormal i fëmijës që bën të pamundur lindjen normale;
  • Vuajtja fetale e fëmijës;
  • Vendosje jonormale e placentës;
  • Hemorragji gjatë procesit të lindjes;
  • Lindje tjetër pas një interventi të mëparshëm cezarian;
  • Pacientë me pathologji të aortës, ose me trombozë të venave të thella dhe embolizëm pulmonar të kaluar.

Sigurisht që procesi normal i lindjes është përveçse i gjatë sidomos tek nënat që lindin për herë të parë është dhe shumë i dhimbshëm, gjë që e bën procesin të pakëndshëm, sfilitës dhe një eksperiencë të cilën shumë nëna nuk do preferonin ta përsëritnin.

Këtu sigurisht ndërhyn mjekësia nëpërmjet anestezisë lokoregionale që quhet anestezia epidurale, ose e thënë ndryshe lindja pa dhimbje.

Çfarë është anestezia epidurale dhe roli i saj gjatë lindjes natyrale

Anestezia epidurale është një ndër llojet e anestezive të përdorura sot në mjekësi për realizimin e shumë interventeve të rëndësishme dhe të komplikuara pa pasur nevojën e anestezisë gjenerale.

Ajo realizohet nga një mjek me përvojë anestezist reanimator, i cili vendos një kateter special në kushte sterile në një nga hapësirat e kolonës vertebrale dhe më pas injektohen lëndët anestetike në doza të caktuara.

Kjo lloj anestezie bën bllokimin e fijeve nervore sensitive, pra pacientja nuk ndjen dhimbje, por nuk prek fijet nervore motore, pacientja mund të lëvizë pa problem dhe të ndihmojë në procesin e lindjes. Kateteri përdoret jo vetëm gjatë procesit të lindjes, por edhe pas procesit të lindjes për të kontrolluar dhimbjen disa ditë me radhë.

A ka rreziqe dhe komplikacione anestezia epidurale?

Anestezia epidurale në duart e një profesionisti është një procedurë e sigurtë. Për sa i përket komplikacioneve të anestezisë epidurale përmenden:

Hematoma epidurale e cila është jashtëzakonisht e rrallë dhe ndodh në paciente që përdorin antikoagulantë dhe kanë probleme të koagulimit të gjakut, sigurisht para procedurës bëhet një kontroll i plotë i parametrave të koagulimit dhe nëse përdor apo jo koagulant dhe nëse po kryhet realizimi i procedurës në afate kohore të mirëpërcaktuara nga përdorimi i antikoagulantit në respekt të protokolleve të rrepta ndërkombëtare.

Infeksioni, edhe ky është i jashtëzakonshëm sepse procedura realizohet në kushte të rrepta asepsie si dhe përdorimi i antibiotikëve.

Punksioni i durës ose i cipës së fortë të kolonës vertebrale që mbledh palcën është një komplikacion që varet nga eksperienca e mjekut anestezist. Është një komplikacion jo serioz dhe mund të shoqërohet me rrjedhje të lëngut trunoshpinor dhe pacientja mund të ketë dhimbje koke dhe vështirësi të qëndrimit në këmbë.

Zakonisht zgjidhet vetë ose me dhënien e likideve dhe antiinflamatorëve të grupit të ibuprofenit etj.

Në raste më të rralla nëse vazhdon aplikohet dhënia në hapësirën epidurale të 20 ml gjak të vet pacientes që e zgjidh në mënyrë spektakolare problemin.

A ekziston mundësia e dëmtimit të kolonës gjatë procedurës së vendosjes së kateterit epidural?

Në popull ekziston miti që punksioni i kolonës është i rrezikshëm dhe mund të paralizojë pacientin, që në vetvete është një e pavërtetë e madhe.

Nuk ekziston asnjë mundësi të dëmtimit të palcës së kurrizit sepse kateteri vendoset jashtë hapësirës së palcës.

E dyta vendoja e kateterit bëhet poshtë nivelit të vertebrës L1 ku është edhe maksimumi ku arrin palca, pra ka një distancë të konsiderueshme sigurie.

A është e dëmshme lënda anestetike për fëmijën dhe për nënën?

Nga të gjitha studimet lënda anestetike është e sigurtë si për nënën dhe për fëmijën. Sasia e lëndës që përdoret për anestezinë epidurale është e njëjtë sa për heqjen e një dhëmbi.

A mund të bëjë një nënë në lindjet e tjera përsëri anestezi?

Çdo paciente që i nënshtrohet njëherë anestezisë epiduarale mund të bëjë përsëri procedura të njëjta dhe të sigurta.

Ka nëna që ankohen për dhimbje pas procedurës edhe muaj më vonë pas kryerjes së anestezisë epidurale, është e vërtetë apo jo?

Është e vërtetë që ka paciente që ankojnë për dhimbje të kolonës edhe disa muaj pasi kanë kryer procedurën, por nuk është lidhur me procedurën sepse organizmi ynë në kohë shëron çdo dëmtim të mundshëm. Dhimbja në të vërtetë i atribohet vuajtjes që bën nëna nga procesi i vazhdueshëm i mundimshëm i shërbimit ndaj fëmijës.

A është në vetvete procedura e dhimbshme?

Procedura e vendosjes së kateterit është e padhimbshme sepse realizohet nën anestezi lokale.

Sa zgjat në kohë procedura e vendosjes së kateterit epiduaral?

Zakonisht nuk zgjat më shumë se 5 min nga një anestezist me përvojë, sigurisht kërkohet dhe kooperimi i mirë i pacientit.

Kur nuk kryhet dot procedura?

Procedura nuk mund të kryhet në këto raste:

  1. Probleme të koagulimit ose pacientja përdor antikoagulant;
  2. Infeksion dhe probleme të kolonës vertebrale në vendin e punksionit;
  3. Refuzim i pacientes;
  4. Nëse nëna është në procesin përfundimtar të lindjes.

Kur hiqet kateteri dhe a është e vështirë heqja e tij?

Kateteri epidural hiqet menjëherë pas lindjes ose mund të mbahet për trajtimin e dhimbjes më pas. Heqja është e lehtë dhe pa dhimbje.

Nënat që lindin me anestezi epidurale janë në lindjet e tjera të parat që kërkojnë të lindin me anestezi epidurale dhe janë dhe nxitëse tek pacientet e tjera që të lindin me anestezinë epidurale.