MENU
klinika

Detajet

Mbledhja në Shkodër/ Opozita shpall platformën për 10 ditë

03.09.2018 - 20:24

Opozita do të dalë me një platformë të përbashkët brenda 10 ditëve. Kështu është vendosur nga mbledhja e opozitës në Shkodër.

Brenda këtyre 10 ditëve do të diskutohet nga lidershipi PD-LSI dhe do të shpallet platforma e përbashkët opozitare për aksionin politik ‘të çlirimit të qeverisë nga krimi’.

Po kështu mësohet se derisa të merren vendimet, nuk do të ketë pjesëmarrje normale në komisione dhe parlament.

Ndërkohë herët, kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili tha se opozita ka vendosur të ketë marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin.

“Opozita e bashkuar ka analizuar gjerësisht situatën politike. Këtë e bëri në Shkodër, pikërisht sepse Shkodra nuk ka më Kryeministër. Duhet të ishte Kryeministri në Shkodër, por ai fshihet në Tiranë. Kryeministri kur ka përmbytje përsëri fshihet në Tiranë. Kryeministri kur ka tërmete përsëri fshihet në Tiranë, pra jemi këtu dhe do të jemi në të gjithë vendin për të marrë përsipër të tërë këtë detyrim të madh pasi përfundimisht vendi është pa qeverisje, pa drejtim dhe këtë drejtim ajo e ka ndarë me bandat të cilat gjysmat janë në rrugë dhe gjysmat në tavolinat e qeverisë”, tha Vasili.

“Ne jemi këtu për të treguar qartë dhe prerë që qytetarët nuk janë vetëm, nuk kanë për të qenë kurrë vetëm, por opozita në krye dhe kurajoja e qytetarëve, të cilët nuk kanë pse tremben nga asgjë, pasi gjithmonë betejën me kriminelët e ka fituar populli. Do të jetë këtu që së bashku me popullin, të marrë atë ndëshkim të merituar atyre që fshihen në Tiranë kur duhet të jenë në Shkodër, pasi dihet për fat të keq Shqipëria ka Kryeministrin më frikacak që ka ekzistuar ndonjëherë dhe njëkohësisht për fat të keq edhe më të kriminalizuar se cdo herë tjetër së bashku me të gjithë ata që drejtojnë Grupit e tij Parlamentar, në parlamentin etj dhe grupin e deputetëve që sot hapi një parlament duke demonstruar si një grup deputetësh grabitqar, armiq të popullit dhe kundra popullit. Opozita ka vendosur që marrëdhënia në parlament të jetë e kushtëzuar, të ketë një qëndrim të papajtueshëm, dhe 0 kompromis me një qeverisje të kriminalizuar”, u shpreh më tej ai.

I pyetur se a do të vazhdojë bojkoti dhe cili do të jetë reagimi i opozitës, Vasili tha se do të jetë një reagim shumë i fortë.

“Format dhe mënyrat do t’i shikoni dhe do të jenë në sytë tuaja siç kanë qenë, por siç ju thashë do jetë një raport i pakthyeshëm dhe pa asnjë kompromis. Pasi këtë mesazh, këtë detyrë na e imponoi populli i Shkodrës pasi nuk mund të durojë të jetë i terrorizuar dhe ku bandat ta kthejnë në shesh krimi të gjithë në qytetin e Shkodrës por jo vetëm. Mesazhi shkon për të gjithë Shqipërinë, edhe për bandat e Durrësit, edhe për bandat e Fierit, edhe për bandat e Korçës kudo anembanë vendit”, theksoi Vasili.

Në lidhje me bojkotin e opozitës, kreu i grupit parlamentar të LSI-së u shpreh se opozita nuk ka bojkotuar.

“Opozita ka një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin. Dhe sa herë që ajo do ta gjykojë të arsyeshme do të thotë fjalën e saj në parlament, do të bëjë debatin, do të bëjë luftën e saj pa kompromis, jo vetëm në parlament por në çdo vend ku do të duhet fjala e saj dhe do të përbuzë dhe poshtërojë atje ku ka farsa parlamentare”, tha Vasili.

M.H