MENU
klinika

Shqipëria, opsioni i vetëm

Shqiptari i ndarë në tresh pa ekip përfaqësues

12.09.2018 - 12:11

Para pak vitesh një talent po shkëlqente në Suedi, duke u bërë pikë kyçe tek Suedia U21. Bëhej fjalë për Loret Sadikun, një futbollist i lindur në Prishtinë në vitin 1991, por i rritur në Skandinavi.

Paraqitjet e mira të Sadikut tërhoqën vëmendjen e Shqipërisë, që i bëri thirrje të vishej kuqezi dhe që aty nisi odiseja e djaloshit të talentuar, i cili për arsye të ndryshme nuk debutoi dot me Shqipërinë dhe preferoi të shkonte te Kosova, kur kjo nuk ishte pranuar ende në FIFA e UEFA.

Megjithatë, aplikimi për të braktisur Suedinë për Shqipërinë mbetej në fuqi dhe FIFA e bllokoi Sadikun, kur Kosova deshi ta përfshinte në ekip për ndeshjet kualifikuese të Rusisë 2018, sepse në bazë të rregullores një futbollist lejohet të ndryshojë kombëtare vetëm një herë.

loret sadiku suedi
loret sadiku suedi

Tashmë i përshtatur mjaft mirë në futbollin turk, ku po aktivizohet si mesfushor me tipare mbrojtëse te Kasimpasa, Sadiku ka tentuar të rikthehet tek Suedia dhe Federata Suedeze i është drejtuar FIFA-s, por “fotbollskanalen.se” raporton se gjithçka është e kotë.

FIFA ka refuzuar çdo kërkesë të re, duke i lënë Sadikut si opsion të vetëm kombëtaren shqiptare. Gjithsesi, duket se me Shqipërinë Sadiku i “ka larë duart”, sepse edhe vetë ka deklaruar për mediat suedeze se FSHF nuk do ta thërrasë më.

Menaxheri i përfaqësueses suedeze, Stefan Pettersson, sqaron: “Kemi pyetur për Sadikun për të ditur situatën, por FIFA na ka komunikuar se ai nuk mund të luajë për Suedinë. Ai ka ndryshuar një herë përfaqësuese dhe nuk mund të ndryshojë sërish”. (Blerim Jahaj, Telesport.al)