Super Lionel Messi! Një start perfekt i Champions League këtë sezon, duke shënuar 3 gola, njëri më i bukur se tjetri dhe Barcelona fiton pastër 4-0 ndaj PSV-së, duke marrë kreun grupit B. Në ndeshjen tjetër, Inter ka bërë një përmbysje spektakolare ndaj Tottenham, 2-1.
Të besuarit e Ernesto Valverde-s kanë zhvilluar një ndeshje të mirë duke mos rrezikuar asnjëherë fitoren pasi zhbllokoi rezultatin me Messi-n pas gjysmë ore lojë. Sulmuesi argjentinas ka shënuar për të 14-in sezon radhazi në Champions League, duke barazuar legjendën e Real Madrid, Raul.
Dhe goli i tij ishte spektakolar nga goditja standarde, që së fundmi i ka kthyer si një penallti. Pas pushimit ishte Dembele ai që shënoi golin e sigurisë në mënyra fantastike pas dribloi tre kundërshtarë dhe Messi vulosi triumfin vetëm dy minuta më pas në të 77-ën.
Aspekti i vetëm negativ i vendasve ishte kartoni i kuq i Umtiti pak minuta pas golit të tretë, teksa u ndëshkua nga arbitri me kartonin e dytë të verdhë. Nuk mbaroi këtu, sepse shënon një tjetër gol, duke kompletuar tripletën, ndërsa PSV bëhet “viktima” e 30-të e tij në Champions.
INTER-TOTTENHAM
Inter është rikthyer fuqishëm në Champions League, teksa ka mposhtur Tottenham me rezultatin 2-1, falë dy golave të Icardi-t dhe Vecino në fund të takimit.
Ishte një ndeshje e karakterizuar nga shumë gabime të vendasve por që në fund ishte atmosfera elektrizuese e San Siro-s dhe perla e Icardi-t që kanë mundësuar këtë rezultat të madh.
Ndeshja nisi me një ritëm të kënaqshëm në një San Siro të mbushur plotë e plotë teksa ishin vendasit ata që kishin lojën në kontroll Tottenham që mendon të mbrohet dhe të kundërsulmojë.
Megjithëse Inter ka topin në zotërim për shumicën e kohës, nuk arrin të prodhojë mundësi goli pasi lojtarët e Spalletti-t bëjnë shumë gabime në pasime dhe shpeshherë pozicionohen gabim. Icardi lihet në hije nga Vertonghen dhe Sanchez, Nainggolan akoma nuk është përshtatur dhe rreziku Zikaltër zakonisht vjen nga Perisic dhe Politano.
Mundësia e vetme që ia vlen të përmendet është ajo e Harry Kane pas një pasimi të artë të Eriksen, por sulmuesi anglez pasi e merr mirë topin nuk arrin të driblojë Handanovic. Pas pushimit ndeshja nuk ndryshon, por miqtë arrijnë të gjejnë golin e avantazhit falë Eriksen me pak fat.
Mesfushori danez lëshon një predhë nga distanca e cila devijohet nga Handanovic, me topin që shkon përsëri tek Eriksen që me provën e dytë nuk gabon megjithëse topi devijohet duke u bërë i pakapshëm për portierin e Inter.
Inter nuk reagon edhe pas golit të pësuar, ndërsa Tottenham ka më tepër hapësira pas golit dhe rrezikon disa herë të tjera për të siguruar fitoren. As ndryshimet e bëra nga Spalletti nuk ndryshuan asgjë, Inter mbeti i turbullt në ndërtimin e aksioneve teksa mundohet vetëm të luajë me topa të gjatë që nuk pinë ujë ndaj Spurs.
Por nga hiçi erdhi goli i barazimit me anë të perlës së Mauro Icardi-t nga distanca. Sulmuesi argjentinas godet me të parën një top të krosuar nga e majta duke i dhënë shpresë zikaltërve. Inter merr zemër dhe në kohën shtesë arrin të përmbysë rezultatin me golin e Vecino nga goditja e këndit.