MENU
klinika

Nga Albert Çaçi

Udhëkryqi politik i Evropës

12.09.2018 - 19:06

Të djelën e shkuar në Suedi u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Edhe këtu u konfirmua skenari që tashmë po bëhet dominant në gjithë Evropën, ku partitë tradicionale të djathta dhe të majta vazhdojnë rënien, ndërsa partitë të ashtuquajtura populiste, vazhdojnë rritjen e pandalshme .Partia socialdemokrate në fuqi që prej vitesh, zbriti në 26 %, rezultati më i dobët në 100 vitet e fundit kurse e djathta ekstreme arriti në 18 % .

Duhet theksuar se të ashtuquajturat parti populiste ose siç quhen ndryshe sovraniste (vetë termi nënkupton se janë për shtetin sovran kundër organizmave të BE) janë fenomen i 5 viteve të fundit dhe duhet thënë se rritja e tyre kaq e shpejtë nuk ka precedentë në Evropën e pas luftës .

Tani fronti i betejes do të zhvendoset në zgjedhjet e ardhëshme të Parlamentin Evropian në pranverën e 2019 dhe duhet thënë se nga këto zgjedhje do të varet fati i gjithë të ardhmes së BE.

Që tani po projektohet se dy grupet tradicionale të politikës së mbas Luftës së dytë Botërore ,ai i djathtë dhe ai i majtë nuk i kalojne së bashku 45 %,  duke vënë në dyshim vazhdimësinë e politikës së deritanishme të BE-së.

Ka një sërë problemesh që po karakterizojnë këtë periudhe ku partitë tradicionale nuk po i japim dot zgjidhje.

Ajo që po shqetëson tashmë gjithë establishmentin evropian është lëvizja The Movement ,që drejtoht nga ish krahu i djathtë i fushatës elektorale të Trump, Steve Bannon . Kjo lëvizje e themeluar vitin e shkuar në Belgjikë synon krijimin e një lloj rryme Internacionale sovraniste me objektivin që të formojë një grup të vetëm në Parlamentin e ardhshëm evropian ku të kenë një rol vendimtar në vendimarrjen e BE-së.

Ata synojnë që të bëjnë një fushatë elektorale të koordinuar nga Bannon me një konsulence logjistike dhe komunikacioni të përbashkët .Thelbi i programit të tyre me mbështetjen transversale në gjithë elektoratin europian, bazohet në mbrojten e sovranitetit të shteteve të BE-së, mbrojtja e familjeve, luftën e emigracionit ilegal dhe depërtimit të Islamizmit,mbrojtja e vendeve të punës dhe përmirsimi e marrëdhënieve me Rusinë.Objektivi i tyre ështe të kalojnë 30 % të parlamentit evropian duke shkaktuar një tërmet të vërtetë politik.

Në fakt po të shikosh kuadrin politik të vendeve të Evropës situata është me të vërtetë shumë alarmante.

Sondazhet e fundit në Gjermani i japin kualicionin të djathtë të Merkel CDU-CSU vetëm 29 % ,një shifër kaq e ulët mbështetje që nuk është parë në historinë e pas luftës . Po kështu partia e Makron En Marche në France nuk kalon 23 % . Kurse më dramatike situata është në Itali ku dy partitë populiste janë mbi 65% .Dhe kështu me radhë në gjithë Europën Perëndimore .Kurse në Europën Lindore vendet e Visengradit kanë një përqindje shumë të lartë të partive sovraniste sidomos në Hungari dhe Poloni .

Por nëqoftëse  partitë e djathta konservatore, megjithë tkurrjen e këtyre 5 viteve, vazhdojnë të kenë një lloj mbështetje që nuk zbret nën 25% në gjithë vendet , ajo që do të jetë në një gjendje katastrofike është e majta evropiane . Në Gjermani SPD ka zbritur në 16% , në Itali 17 %, në France më keq akoma nën 10%, në Spanjë rreth 20% e kështu me radhë.

Në fakt është e trishtushme të shikosh se si formacioni politik i të majtës evropiane që i ka dhënë Europës dhjetra kryeministra të suksesshëm dhe ka kontribuar aq shumë në zhvillimin e demokracisë dhe mirëqënies së Evropës së sotme, të katandiset në nivele përfaqësimi të dorës së tretë. Dhe pikërisht këtë pjese të elektoratit që po braktis të majtën po e rikuperojnë sovranistët.

15 vjet më përpara në fundin e viteve 90 e majta progresiste qeveriste njëkohësisht Gjermanine ,Britaninë e Madhe, Francën, Italinë, Spanjën dhe pothuajse 90 % të vëndeve të BE dhe sot sipas parshikimeve të fundit deri në fund të vitit 2019 të 27 vendet e BE do të qeverisen nga forca që nuk i përkasin orbitës së majtë . Një rezultat të tillë katastrofik as pesimistët patologjik nuk mund ta parashikonin.

Mbas Luftës së Dyte Botërore e majta u bë zëdhënëse e ideve të shpërndarjes së drejtë të pasurisë kombëtare duke vendosur në qëndër të debateve politike -institucionale, konceptin e barazisë sociale dhe kjo e rriti së tepërmi konsesusin e shtresave në nevojë.

Por globalizmi i viteve 90-të e çnatyralizoi të majtën megjithëse ajo ishte mbështetësja më e madhe e tij .Falë globalizimit e majta humbi nuklet e saj të punëtoreve të industrisë së madhe pasi një pjesë e industrisë u zhvendos jashtë Evropes ose drejt Evropës Lindore .

Gjithashtu globalizmi ndryshoi edhe strukturën prodhuse të ekonomisë. Në Gjermani prodhimi industrial jep tashmë rreth 19% të GDP-së , në Itali rreth 18% dhe në Evropë mesatarisht nga 10-12%.

Tashmë 3/4 e GDP-së e jep sektori i tretë, pra shërbimet .

I ashtuquajturi proletariat që ishte baza e votuesve të së majtes evropiane, tashmë globalizmi e ka tkurrur . Pjesa më e madhe e kësaj kategorie tashmë ështe zhvendosur drejt shtresës së mesme ku koncepte të tilla si lufta e klasave, grevat, lufta kundës të pasurve, barazitë sociale, nuk i përkasim më kësaj kategorie as minimalisht . Për nga mënyra e të menduarit , për nga niveli i konsumit dhe konceptet politike kjo kategori i përket shtresës së mesme dhe në fakt historikisht shtresa e mesme voton në përgjithësi të djathtën .

Sindikatat e industrisë së madhe që ishin mbështetësin kryesorë të të majtës dhe që në vitet 80 me forcën e tyre të protestës paralizonin jetën politike të shumë vendeve tashmë janë  tkurrur dhe çoroditur .Kërcënimet globaliste për çvendosjen e fabrikave jashtë Europes i kanë reduktuar rolin e tyre duke i hequr tashmë të majtës një nga burimet historike të forcës së saj

Nga ana tjetër e majta nuk e ka kuptuar as minimalisht rolin historik të emigracionit të sotëm që po trondit themelet e Evropës .E lindur si një grupim internacionalist, e majta gjithmonë ka tundur flamujt e barazisë së popujve ,të racave, të kombeve, të gjinive dhe të një mikpritje të emigrantëve.

Sa kohë që kufijte e mbyllur relativisht të emigranteve sidomos para Pranverave Arabe nuk kërcënonin ekulibrat social-ekonomiktë të shoqërisë dhe të mbështetësve të saj, ky mbetet në kuadrin e një koncepti teorik pa konseguenca reale.

Tashmë që emigracioni masiv që ka shpërthyer së fundi ka vënë në dyshim shumë ekulibra, e majta në këtë pikë është komplet e çoroditur dhe e pa qartë.Jo rastësisht partitë populiste dhe ekstremiste kanë bërë temë kryesore luftën kundër emigracionit. Mjafton të theksohet se partia e majtë ekstreme në Gjermani Aufstehen, që po riformohet nga Die Linke, në program ka vendosur luftën kundër emigracionit, pasi kështu mund ti heqë votat Allianz fur Deutschland, të djathtës ekstreme, për të kuptuar konfuzionin total të së majtës në Evropë.

E majta sot në Evropë ka zbritur në 1/6 e konsensusit, që do të thotë se elitat e majta tashmë janë larguar nga problemet e atyre që i mbështetën. Forca politike që ishte protagonistja politike e 100 viteve të fundit tashmë e fosilizuar, pa ide ,pa lidera karizmatik, po transformohet defitinitivisht në një forcë jo influente në politikat e këtij shekulli.
Me rrezikun e madh që duke prishur të gjithë ekuilibrat politikë që garantuan stabilitetin dhe mirqënien e Europës se mbas luftës.

Situatën e komplikon më shumë edhe fakti se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të marrë pjesë Britania e Madhe mbas Brexit, që ishte shteti i tretë me 73 deputetë dhe mbi 80% të votave të konservatoreve dhe laburisteve, mbështetësve të Europës. Largimi i Britanisë së madhe tashmë rrit peshën specifike të sovranistëve.

Ish kryeministri i Belgjikës, Guy Verhofstadt bëri dje thirrje për të krijuar një front të përbashkët transversal në zgjedhjet e ardhshme me gjithë partitë pro Europës, gjë që shpreh panikun që ka përfshire politikën europiane nga ngjitja e vrullshme e sovranistëve .Ndërsa Cipras deklaroi dje se sovranistët mund të bëjnë copë teknokratët e Brukselit

Gabimi më i madh i forcave pro evropiane është mënyra se si i kundërvihen sovranistëve që është mjaft sempliste duke i etiketuar si fashistë, ksenofob, antiislamiste, raciste etj .Por kjo nuk justifikon rritjen e konsesusit të tyre elektoral. Do të mjaftonte vetëm rasti i Italisë ku 65 % mbështesin populistët për të kuptuar se problemi nuk kaq i thjeshtë sa mundohet ta paraqesë establishmenti evropian.

Janë disa tema të mprehta që kanë mbetur pa përgjigje, si pasojat devastante të globalizmit që kanë rritur se tepërmi pabarazinë shoqërore në Evropë, emigracioni ilegal jashtë kontrollit , rritja e papunësisë ndër të rinjtë, aktet terrorriste që po trondisn nivelin e sigurisë, bllokimi i reformave dhe mungesa e prespektivës. Pikërisht këto tema që më pare ishin tema të së majtës dhe liberalëve, tashmë të braktisur nga ata. janë vënë në themel të propagandës së sovranistëve,  gjë që sjell një rritje të konsesusit elektoral .

Sidoqoftë një triumf i sovranisteve në zgjedhjet e ardhshme të majit 2019 do të ishte me pasoja shumë të rënda për gjithe politikat dhe konceptimin e Evropës së bashkuar që njohim sot.

A do të jenë në gjendje forcat pro evropiane ti kundërpërgjigjen me një vizion të ri reformës së Europes që të marrë në konsideratë zgjidhjen e problemeve reale që kanë evropianët?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë për ti dhënë përgjigje sot.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit

'Lufta' për gazin

Marrëveshja e Kaspikut