Ndryshe nga çdo herë tjetër, teksa mazhoranca zhvilloi seancën e parë plenare në Kuvend, opozita u gjend në Shkodër në një takim me aleatët.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, sa u përket ngjarjeve të ditëve të fundit, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, e ka cilësuar sulmin e tyre si agresiv dhe të qëllimshëm për të nxirë imazhin e policisë dhe të vendit.
Xhafaj ka pohuar faktin se Policia po bën punën maksimale për zbardhjen e dinamikës dhe kapjen e autorëve.
“Ajo që po bën opozita është një sulm agresiv i qëllimshëm për të nxirë imazhin e policisë dhe të vendit. Nuk dua t’i hyjë farë diskutimit se cila është natyra e disa prej viktimave të përfshirë në këto ngjarje, apo sa dhe si këta ta fundit kanë qenë vetë të përfshirë në vrasje të mëparshme.
natyrisht për ne cdo rast vrasje përbën një ngjarje të rëndë sepse janë jetë njerëzish dhe cenojnë sigurinë qytetare. Ne jemi duke iu shkuar në fund këtyre rasteve dhe shumë shpejt do të zbardhim ehde autorët, kjo sa i takon përgjegjësisë sonë. Sa i përket opozitës, kanë zgjedhur një kauzë të gabuar. Në këto muaj kemi bërë një skanim të qartë dhe të hollë të grupeve kriminale që nuk u krijuan sot, por kanë vite. Kemi goditur një pjesë të këtyre grupeve”, tha ministri Xhafaj.