MENU
klinika

Sinjal besimi në rritje

Banka Botërore vlerëson eurobondin

05.10.2018 - 09:12

Banka Botërore e vlerëson si të suksesshëm emetimin eurobondit nga qeveria shqiptare. Ekonomistja e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Hilda Shijaku, tha të enjten se tregjet financiare po tregojnë një besim në rritje te ekonomia shqiptare.

Sipas saj, ky emetim ishte në përputhje me strategjinë e menaxhimit të borxhit, përmes sigurimit të interesave më të ulët, me një maturitet më afatgjatë.

“Emetimi i eurobondit shkon në të njëjtën linjë me strategjinë e zgjatjes së maturitetit të borxhit dhe uljen e normës së interesit. Duke pasur parasysh edhe qëllimin për të ulur ekspozimin në tregun e brendshëm, mendoj se ky operacion përputhet me strategjinë e menaxhimit të borxhit. Nga ana tjetër, pjesëmarrja në tregjet e ehuaja e ekspozon vendin tonë ndaj disiplinës së tregut.  Fakti që Shqipëria emetoi eurobondin me një normë më të ulët sesa në vitet e mëparshme, tregon se tregjet kanë shfaqur një besim në ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe në reformat e kryera,” tha zj.Shijaku.

Në daljen e tretë në tregjet financiare ndërkombëtare, Shqipëria emetoi me sukses eurobonde në vlerën e 500 milionë eurove.

Maturiteti i eurobondeve të emetuara arriti në shtatë vjet, nga pesë vjet që kishte qenë në emetimet e mëparshme, ndërsa kuponi ishte 3.55% në rënie të ndjeshme krahasuar me dy emetimet e mëparshme.