Koncesionet ekskluzive janë bizneset më fitimprurëse në Shqipëri. “Tirana International Airport”, një shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, është themeluar në vitin 2004 me qëllimin e vetëm të ndërtimit, operimit dhe menaxhimit të aeroportit “Nënë Tereza”. Kontrata koncesionare e nënshkruar po në këtë vit, parashikonte fillimin e një periudhë 20-vjecare, por që shumë vite më vonë u shty, në këmbim të heqjes së ekskluzivitetit të fluturimeve. Marrëveshja e rishikuar parashikon që koncesioni të vazhdojë deri në vitin 2027, pra tre vite përtej marrëveshjes fillestare.
Sipas bilancit kontabël të dorëzuuar nga vetë kompania në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe që i referohet të dhënave të vitit 2016, rezulton se, aeroporti “Nënë Tereza” ka gjeneruar fitime neto për kompaninë koncesionare në vlerën e 13.4 milionë eurove, ndërkohë që fitimi i akumuluar fiksohet në 16.7 milionë euro. Gjatë viteve të fundit, norma e fitimit të kompanisë ka qënë në rreth 30%. Në 2015, fitimi neto i kompanisë fiksohej në 12 milionë euro, ndërkohë që në 2010 ishte vetëm 3.6 milionë euro. Pra, në harkun e vetëm 7 viteve, 2010-2016, fitimet neto të kompanisë fiksohen në plot 50 milionë euro.
Viti 2016, ndërkohë, përkon edhe me vitin e shitjes së kompanisë dhe blerjen e saj nga “China Everbright“, gjë që ka bërë edhe që këtë vit, të shpërndahen të gjitha dividentët për ortakët, plot 15.5 milionë euro. Fitimet mjaft të larta që gjeneron ky koncesionar, kanë bërë që vlera e shitjes së kompanisë në mesin e vitit 2016, ndaj kinezëve të “Everbright“ të prekë shifrën e 82.5 milionë eurove. Janë më e pakta 11 vite në dispozicion për kompaninë kineze, që të nxjerrë paratë e investimit fillestar, dhe për të realizuar këtë duhet të regjistrojë fitime neto në mbi 7.5 milionë euro, përgjatë këtyre viteve. Diçka e tillë duket mëse e realizueshme po të kemi parasysh trendin e fitimeve, gjatë viteve të fundit.
Pra, aeroporti “Nënë Tereza” është i destinuar të prodhojë para’, siç është i destinuar të grumbullojë para’ çdo kompani që ka të drejtën e shfrytëzimit të kësaj “miniere ari”. Jo më kot, në një studim të publikuar vetëm pak kohë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar nënvizonte faktin se, koncesioni i aeroportit “Nënë Tereza”, rrjedhojë e marrëveshjes së vitit 2004 mes qeverisë shqiptare dhe TIA-s, nuk është një histori suksesi, por një rast nga i cili mund të nxirren shumë mësime.
“Ky partneritet publik-privat arriti disa objektiva kryesorë, por mësime mjaft të rëndësishme duhen marrë. Shqipëria siguroi ndërtimin dhe funksionimin e një aeroporti modern me standarde të larta dhe kjo u arrit me rreziqe mjaft të ulëta fiskale. Gjithsesi, investimi mund të ishte bërë ndryshe, duke lehtësuar rritjen e trafikut ajror, rritjen e të ardhurave që lidhen me tarifat më të larta të rritjes së aktivitetit dhe vendosjen e Shqipërisë në pozita më konkurruese në tregun rajonal të fluturimeve ajrore”, thotë në këtë raport unik në llojin e tij Fondi Monetar Ndërkombëtar. Madje, FMN thotë se, shumë shqiptarë janë detyruar ndër vite të udhëtojnë drejt aeroporteve të vendeve fqinje me autobus për të marrë fluturimin e tyre, për shkak të tarifave disa herë më të ulëta. “Kostot e fluturimeve realtivisht mjaft të larta drejt Shqipërisë, mund të kenë ndikuar në ardhjen e turistëve në vend”, shton Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për këtë arsye, thotë institucioni, “TIA” nuk i ka shërbyer sa duhet zhvillimit të tregut të fluturimeve ajrore në vend. Gjithsesi, FMN nuk harron të përmendë edhe rinegocimin e kontratës në vitin 2016, që çoi në shtyrjen e kontratës koncesionare, si dhe heqjen e monopolit.
“ALEAT”, fitimi 40%
E ndërkohë që vendi i parë i listës nuk është suprizë për shumicën, vendi i dytë padiskutim që është. Koncesioni me më shumë fitime në Shqipëri pas aeroportit “Nënë Tereza” në fakt është ai i prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, shërbim që ofrohet nga kompania “Aleat”. Në vitin 2016, sipas të dhënave të dorëzuara nga vetë kompania në Qendrën Kombëtare të Biznesit, fitimi neto fiksohej në plot 7 milionë euro, ose 943 milionë lekë. Në vitin 2015, ndërkohë, fitimi ishte edhe më i lartë, plot 1.38 miliardë lekë. Kontrata koncesionare mes qeverisë shqiptare dhe “Morpho“ (Sagem Securite) dhe Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan u firmos në vitin 2008 dhe parashikohej të zgjaste plot 6 vite, deri në vitin 2013.
Por, në këtë vit, kontrata u shty deri në vitin 2023, ndërkohë që kompania zotohej në bazë të kontratës së re, që të investonte plot 40 milionë euro deri në fund të kontratës. Paçka se u pa qartë se marzhet e fitimit të kompanisë ishin mjaft të larta, në thuajse 20% çdo vit, kontrata koncesionare u zgjat. E për më tepër, marzhet e fitimit të kompanisë prekën majat në vitin 2015, në rreth 40%. Në këtë vit, kompania deklaronte fitime neto në vlerën e 10 milionë eurove. Fitimet e kompanisë janë bindshëm të larta për një koncesion, i cili supozohej të mos kishte marzhe kaq të larta të fitimi, duke qenë se fillimisht bëhej fjalë për një kontratë koncesionare tranzitore, derisa Ministria e Brendshme të bëhej gati për t’i kryer vetë këto procedura.
Megjithatë, trendi flet qartë dhe duket se fitimet e “Aleat” janë të destinuara që të rriten, sidomos gjatë periudhës 2018-2019, kohë që përkon me skadencën e 10-vjeçarit të parë të pasaportave biometrike. Duke qenë se në vitet 2018-2019 pritet të skadojnë një pjesë e konsiderueshme e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit të lëshuara në vitin 2008, shitjet e kompanisë pritet të rriten ndjeshëm, duke gjeneruar, për rrjedhojë, marzhe mjaft të larta fitimi, e pse jo, të shtyjë Aleat drejt vendit të parë të kësaj liste dhe të shkurorëzojë aeroportin “Nënë Tereza” si “miniera e koncesioneve”.
“Saniservice”, 1.2 mln euro fitim
Në vend të tretë ndjek koncesioni për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale. “Saniservice” është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, e krijuar në vitin 2015, me qëllimin e vetëm për të ofruar setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile, furnizimin me material mjekësor steril me një përdorim në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve ku do të ofrohet ky shërbim, në spitalet universitare dhe rajonale te vendit, apo dhe spitale të tjerë, sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë, në zbatim të koncesionit/partneritetit publik-privat të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë. “SaniService” në vitin 2016 raportonte fitime neto prej 163 milionë lekëve, çka përkthehet në rreth 1.2 milionë euro. Në vitin e parë të operimit, fitimet ishin minimale, vetëm 30 mijë euro. Në bazë të marrëveshjes, ky koncesion ka një kohëzgjatje 10-vjeçare, çka do të thotë se do të vazhdojë deri në vitin 2025. Pra, një prej detyrimeve të shtetit, e deleguar te privati për shkak të paaftësisë, është kthyer në një gjenerator parash.
Me ritme të tilla, koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirugjikale, një ndër më të përfolurit në vorbullën e koncesioneve në shëndetësi, por edhe një ndër më të përfolurit e viteve të fundit, do të përfundojë kontratën me dhjetëra miliona euro fitime të pastra. Fitimet janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e çmimeve të përcaktuara në kontratë për çdo shërbim që kompania është detyruar të ofrojë dhe që në shumë raste bëhet fjalë për shuma mjaft të mëdha. Në kushte të tilla, ky lloj koncesioni është i destinuar vetëm që të rrisë fitimet.
SGS, fitime në rritje vit pas viti
Në vend të katërt, ndërkohë, renditet një tjetër koncesion i shumëpërfolur, ai i kontrollit teknik të automjeteve, pra kolaudimit, ekskluzivitetin e së cilës e ka “SGS”. Kompania që gëzon monopolin e këtij shërbimi në Shqipëri, raporton fitime në 1.1 milion euro në vit, të paktën sa i përket bilancit kontabël të 2016-ës. Në 2015, ndërkohë, fitimet neto të kompanisë fiksoheshin në 1 milion euro. “SGS Automotive Albania“ është një kompani e krijuar në shtator të vitit 2009, për të ofruar shërbimin e kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkio, si dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve të parashikuara në kontratën e koncesionit “për Shërbimin e Kontrollit Teknik të Detyrueshëm të Mjeteve Rrugore me Motor dhe Rimorkio”, të nënshkruar më datë 3 shtator 2009. Që nga viti 2013 deri në vitin 2016, “SGS Automotive Albania“ ka arritur të dyfishojë fitimet e saj. Trendi i fitimeve të kompanisë, nga viti në vit është mbresëlënës për nga qendrueshëmria.
Në 2009 dhe 2010, kompania raportonte humbje të vogla, rrjedhojë e investimeve fillestare të kryera, por më vonë, ose më saktë në tre vitet në vijim, fitimet janë shumëfishuar, për të kulmuar në 2016-ën, kur u raportuan 1.1 milion euro fitime. Në 2015-ën, fitimet neto ishin në 1 milion euro, në 2014 në 700 mijë euro, në 2013 në 640 mijë euro, në 2012 në 240 mijë euro dhe në 2011 në 37 mijë euro. Pra, në total, dy vite e gjysmë përpara përfundimit të kontratës, “SGS” ka gjeneruar fitime neto prej 3.7 milionë euro. Thuajse 1/3 e tyre janë gjeneruar vetëm gjatë 2016-ës, ndërkohë që fitimet janë të destinuara të rriten përgjatë dy viteve e gjysmë. Kompania regjistron një normë fitimi, pra fitime neto para tatimit në raport me xhiron vjetore, në rreth 20%, normë kjo që pashmangshmërisht e radhit mes koncesioneve më fitimprurëse në vendin tonë.
Në bazë të kontratës së koncesionit të nënshkruar në vitin 2009, ky koncesion ka një kohëzgjatje prej 10 vitesh, çka do të thotë se, kontrata do të quhet e përfunduar në ditën e 10-vjetorit të nënshkrimit të saj, pra ekzaktësisht në datë 3 shtator të vitit 2019. Pas kësaj date, shërbimi i kontrollit teknik të detyrueshëm, ose thënë ndryshe kolaudimit të mjeteve motorike, nuk do të jetë më vetëm ekskluzivitet i firmës zvicerane, por do të jetë një treg i lirë. Pas kësaj date, “SGS” zgjidhet nga çdo detyrim kontraktues.
“GFI” ka nisur të vjelë fitime
Në vendin e pestë të listës me kontratat koncesionare më fitimprurëse në vendin tonë figuron një tjetër marrëveshje shumë e përfolur ndër vite; ajo e markimit të karburanteve, shërbim të cilin e ka marrë në dorëzim, “GFI Albania”, që ka dy ortakë, “Global Fluids International“ dhe “Petroleum Consulting Partners A.G“. Dy ortakët, ndër vite kanë ndryshuar normën e kapitalit, në favor të njërit apo tjetrit. Kompania është themeluar në vitin 2013, për të zbatuar kotratën koncesionare me qeverinë shqiptare, të nënshkruar po atë vit, me qëllimin të vetëm të veprimtarisë së saj, atë të përcaktuar në kontratën koncesionare, “për Shërbimin e Markimit dhe të Monitorimit të Karburanteve në RSH” dhe me konkretisht hartimin e projektit përfundimtar, ndërtimin dhe testimin e sistemit operativ për ofrimin e shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në RSH, shfrytëzimin e sistemit operativ, dhe transferimin e pajisjeve të sistemit operativ per markimin dhe monitorimin e karburanteve në RSH tek Autoriteti Kontraktues pas përfundimit të afatit të koncesionit.
Marrëveshja parashikon që koncesioni të zgjasë plot 10 vite nga data e hyrjes në fuqi, çka do të thotë se, duhet të përfundojë në vitin 2023. Në vitin 2016, kompania “GFI Albania” raporton fitime neto në vlerën e 857 mijë eurove. Për vitin 2015, ndërkohë, fitimet fiksohen në vetëm 30 mijë euro. Në dy vitet e kaluara, 2013 dhe 2014, kompania raporton humbje. “GFI Albania” është kompania e vetme shqiptare, që u përfshi në skandalin më të madh financiar në histori, i quajtur ndryshe si “Panama Papers”.