MENU
klinika

Do të japë dorëheqjen

Fundi i epokës “Merkel” erdhi

29.10.2018 - 15:24

Fundi i epokës Angela Merkel erdhi.

Angela Merkel, kancelarja e e Gjermanisë ka thënë se ajo do të japë dorëheqjen si kancelare në vitin 2021, pas ngjarjeve të fundit.

“Unë nuk do të kërkoj ndonjë post politik pas përfundimit të mandatit tim”, tha ajo në një konferencë shtypi në Berlin. Ajo tha gjithashtu se nuk do të kërkojë rizgjedhjen si drejtuese e partisë CDU të qendrës së djathtë në dhjetor.

Por heqja dorë nga posti i partisë do ta dobësojë autoritetin e saj dhe do të përforcojë ndjenjën se sundimit të saj po i vjen fundi.

Njoftimi i Merkelit gjithashtu do të ndikojë në skenën politike evropiane, ku ajo ka qenë figura më e njohur për më shumë se një dekadë.

“Ndjej se është koha për të hapur një kapitull të ri,” u tha Merkel gazetarëve në Berlin.

Merkel tha se nuk po kërkonte ndonjë pozicion tjetër politik, duke hedhur poshtë spekulimet se ajo mund të ishte një kandidate për një post të lartë të BE.

Merkel ka qenë në krye të CDU që nga viti 2000 dhe kancelare që nga viti 2005.

Aleatët konservatorë të CSU të kancelares gjermane Angela Merkel pësuan humbje historike në zgjedhjet shtetërore të Bavarisë pak kohë më pare, duke i dhënë një goditje qeverisë së saj të brishtë të koalicionit prej tre palësh.

CSU siguroi 35.5 për qind, sipas parashikimeve të Exit-Poll-ve të publikuara në mbyllje të procesit të votimit, duke humbur shumicën absolute në landin e pasur Alpin, ku kanë pasur mbështetje të plotë që nga vitet 1960.

Ndërkohë, në Hessen u mbajtën zgjedhjet për parlamentin e landit, ku u dërguan sinjale të fuqishme në drejtim të Berlinit. Humbëset më të mëdha të zgjedhjeve ishin dy partitë deri tani më të mëdha në vend, CDU dhe SPD.

Partia kristiandemokrate (CDU) e kancelars Angela Merkel ka fituar numrin më të madh të votave në landin Hessen. Por njëkohësisht kristiandemokratët janë edhe humbësit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve, pasi CDU shënoi rezultatin më të dobët  në këtë land, që nga viti 1966. Pas mbylljes së vendvotimeve u tha se partia CDU ka fituar vetëm 27,4% të votave (rreth 11% më pak se në zgjedhjet e kaluara).

Humbës të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve janë edhe socialdemokratët (SPD), të cilët kanë shënuar rezultatin më të dobët zgjedhor në këtë land, pas Luftës së Dytë Botërore. SPD sipas të gjitha gjasave ka zënë vendin e dytë në zgjedhje, por kjo parti fitoi vetëm 19,6 % të votave. Edhe kjo parti ka shënuar një rënie prej rreth 11 %.

Në këtë mënyrë, zgjedhësit në Hessen dërguan sinjal shumë të qartë në drejtim të qeverisë federale, sepse shumë zgjedhës në Gjermani nuk janë të kënaqur me qeverisjen federale dhe me grindjet në koalicionin e partive deri tani më të mëdha në Gjermani.

Sekretarja e Përgjithshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, deklaroi se do të kandidojë për këtë post. Kramp-Karrenbauer është një aleate e Merkelit, që do të përballet me konkurrencën e Ministrit të Shëndetësisë Jens Spahn, një figure konservatore, sipas mediave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Evropa do të humbasë shumë"

Rënia e Merkelit dhe e ardhmja e Evropës

Sondazhet aspak favorizuese

Bavaria voton sot/ Merkel në rrezik