Një brand global do të hyjë në tregun shqiptar të karburanteve. Së shpejti, në rrugët e Shqipërisë do të ketë pika karburanti me tabela të gjigandit hollandez Shell.
Burime nga tregu bëjnë të ditur se Shell do të sillet në Shqipëri nga kompania greke Coral S.A.
Kjo kompani zotëron të drejtën e përdorimit të markës Shell për Greqinë dhe Serbinë. Në Greqi, Coral zotëron rreth 800 pika karburanti me markën Shell dhe mban afërsisht 20% të tregut.
Coral zotërohet nga gjigandi grek i energjisë, Motor Oil Hellas. Aksioner kontrollues në këtë shoqëri është miliarderi grek,Vardis Vardinogiannis, me mbi 57% të aksioneve, ndërsa pjesa e mbetur e aksioneve janë të listuara në Bursat e Athinës dhe Londrës.
Hyrja e Shell, përmes grekëve të Coral, pritet t’i rrisë konkurrencën në tregun e karburanteve në Shqipëri. Aktualisht, ky treg është një lloj oligopoli, sidomos në nivel shumice, por gjithnjë e më shumë edhe në pikat e shitjes me pakicë. Tregu dominohet nga kompania Kastrati, që qarkullon mbi 500 milionë euro në vit, si edhe pak kompani të tjera, si Elda Petrol, Genklaudis (Gega Oil), Alpet dhe Bolv Oil.
Shell do të vijë në Shqipëri pak muaj pas daljes nga tregu të një tjetër brand-i global, Gulf. Gulf u soll në Shqipëri nga një grup biznesi gjeorgjian, i kontrolluar nga një prej ish-ministrave të rëndësishëm të qeverisjes së Mikhail Saakashvilit. Por, kjo kompani u largua në fillim të këtij viti, duke i mbyllur papritur të gjitha pikat. Pak ditë para largimit, kompania u përfshi edhe në një skemë mashtrimi, në bashkëpunim me disa partnerë shqiptarë, përmes shitjes së tollonave me çmim të ulët.