MENU
klinika

Kriza në Ballkan

Juncker: Në Ballkan luftë e re pa BE-në

06.10.2018 - 10:13

Shefi i Komisionit të Bashkimit Europian, Jean-Claude Juncker paralajmëroi një ditë më parë mbi mundësinë e një lufte të re në Ballkan, nëse Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja nuk ndiejnë se BE-ja është serioze në ofrimin e perspektivës për anëtarësim ndaj tyre.

“Nëse në peizazhin tejet të komplikuar të Europës krijohet përshtypja se ne nuk jemi seriozë në ofrimin e perspektivës së anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë mund të shohim më vonë, e ndoshta edhe më shpejt nga sa parashikohet, atë që kemi parë të ndodhë në Ballkan në vitet ’90”, deklaroi Juncker gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlamentin austriak.

Gjashtë shtetet e Ballkanit, të cilat gjatë viteve ’90 krijuan fushëbetejën e konflikteve më të përgjakshme të Europës që prej Luftës së Dytë Botërore, që çoi deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, tashmë gjenden në faza të ndryshme të bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 

Juncker ballkan lufte
Ndërsa negociatat për anëtarësim kanë nisur zyrtarisht me Serbinë dhe Malin e Zi, Shqipëria dhe Maqedonia janë ende në pritje të çeljes së tyre dhe klasifikohen si “vende kandidate”. Bosnja dhe Kosova, nga ana tjetër, janë listuar për momentin si “kandidatë potencialë”.

Juncker e kishte përmendur edhe dhjetorin e vitit të kaluar faktin se, zgjerimi me vendet e Ballkanit ishte jetik për ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajon, ndaj shprehej se priste që Serbia dhe Mali i Zi t’i bashkoheshin bllokut deri në vitin 2025. Sidoqoftë, rruga e tyre drejt anëtarësimit të plotë në BE ishte “ende shumë e gjatë”, do të kujdesej të theksonte Juncker.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN