Në prezantimin e projektbuxhetit 2019, kryeministri Edi Rama njoftoi rritjen e pagave në shëndetësi arsim, dhe ushtri, duke filluar nga 1 prilli i vitit të ardhshëm. Efekti në buxhetin e vitit të ardhshëm nga kjo rritje e pagave do të jetë 3.2 miliardë lekë, ose 25 milionë euro.
Në sektorin e Shëndetësisë parashikohet rritje me 10% e pagave të mjekëve dhe personelit ndihmës mjekësor, ku përfshihen infermierë, laborantë dhe farmacistë. Nga kjo rritje do të përfitojnë 4 650 mjekë dhe 13 765 ndihmës, me një efekt financiar vjetor 1.4 miliardë lekësh ose 11 milionë eurosh.
Nëse një mjek familjeje sot merr mesatarisht merr një pagë bruto prej 73,600 lekësh në muaj, nga 1 prilli paga do të arrijë në afro 81 mijë lekë. Ndërsa për mjekët e spitaleve, paga mesatare do të arrijë në rreth 91,400 lekë, nga rreth 83 mijë lekë që është aktualisht.
Një infermier me arsim të lartë në kujdesin parësor do të marrë rreth 47 mijë lekë, ndërsa një infermier me arsim të lartë në spital do të paguhet rreth 58,500 lekë.
Në Sektorin e Arsimit, pagat e stafit mësimor do të rriten 7%. Nga kjo rritje, përfitojnë rreth 35 mijë mësues, me një efekt financiar vjetor 1.5 miliardë lekë ose 12 milionë euro.
Që nga 1 prilli 2019, mësuesit në shkollat e mesme do të përfitojnë një pagë bruto prej rreth 77 mijë lekësh, mësuesit në shkollat 9 vjeçare rreth 79 mijë lekë, mësuesit në ciklin fillor 71 mijë lekë, ndërsa edukatoret e arsimit parashkollor do të marrin rreth 62 mijë lekë në muaj.
Për Sektorin e Mbrojtjes, do të rriten pagat e stafit me grada me 5%. Nga kjo politikë, përfitojnë rreth 6800 ushtarakë, me një efekt financiar vjetor rreth 250 milionë lekë ose dy milionë euro.
Ndërkohë, buxheti i vitit 2019 nuk parashikon rritje të pensioneve.