Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Donald Trump kanë rënë dakord paraprakisht të takohen në prag të samitit të udhëheqësve të G20 në Buenos Aires muajin e ardhshëm, sipas një burimi.
Një datë fillestare është caktuar 29 nëntor, një ditë para fillimit zyrtar të takimit, sipas burimeve.
Nëse konfirmohet, ky do të jetë takimi i parë ballë për ballë midis dy liderëve që prej një viti pothuajse.
Zëvendëskryeministri kinez Liu He, një nga ndihmësit më të lartë ekonomik të Xi, u tha të premten medieve shtetërore se Pekini dhe Uashingtoni po kontaktojnëpër momentin.
As Shtëpia e Bardhë e as Ministria e Jashtme e Kinës nuk kanë dhënë detaje mbi oraret për samitin e G20.
Lajmi për një takim të mundshëm midis Xi dhe Trump vjen mes armiqësive në rritje midis SHBA dhe Kinës në një sërë çështjesh të ndryshme që nga lufta tregtare, e deri tek Deti i Kinës Jugore, e akuzat për spiunazh.
Zhao Quansheng, drejtor i Qendrës për Studime Aziatike në Universitetin Amerikan në Uashington, tha “Nëse SHBA vazhdon të provokojë Kinën për çështjen e Tajvanit, kjo mund të çojë në një luftë të vërtetë.”
Ai Weiwen, një ish-këshilltar ekonomik në konsullatat kineze në Nju Jork dhe San Francisko, tha se Kina dhe SHBA duhet të “krijojnë kushte” për një takim të liderëve që mund të zhvillohet në Argjentinë.
Një zyrtar i qeverisë kineze tha se koha e takimit të propozuar është shumë mire për të dy liderët, pasi në fund të nëntorit ata do të kenë mbaruar disa nga çështjet që duhet të zgjidhin. Zgjedhjet afatmesme të SHBA janë caktuar për 6 nëntor, ndërsa Kina ka disa ngjarje të planifikuara në javët e ardhshme.
Samiti i G20 në Buenos Aires do të jetë ngjarja e fundit shumëpalëshe e vitit ku Trump dhe Xi do të marrin pjesë. Shtëpia e Bardhë më herët e anuloi udhëtimin e planifikuar të Trump në Bashkëpunimin Ekonomik Azi-Paqësor të planifikuar për në 17-18 nëntor në Guinenë e Re.