Edhe pse në publik duket se nuk ndodh asgjë dhe secila përfaqësuese sheh punën e vet, pas “kuintave” ka zhvillime që asnjërës palë nuk i pëlqen. Bëhet fjalë për përzgjdhjen apo rrëmbimin e futbollistëve që dy federatat shqiptare të futbollit, FSHF dhe FFK, i bëjnë njëra-tjetrës.
Pasi Shqipëria i mori Kosovës mbrojtësin Dermaku, një tjetër kosovar mund të vishet kuqezi. Bëhet fjalë për ish-kapitenin e Kosovës U-21, Ardian Ismajli, që ka refuzuar ftesën e bërë nga përfaqësuesja e madhe e Kosovës.
Një lajm që pasohet me një tjetër lajm sensacional. 22-vjeçari nga Kosova tashmë mund të bashkohet me Kombëtaren e Shqipërisë. Lajmi është konfirmuar nga familjarët e futbollistit, ndonëse nuk ka ende një qëndrim zyrtar as nga ana e vetë lojtarit dhe as nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Për momentin, vetë Ismajli është i pavendosur për të ardhmen e tij. Konkretisht, 22-vjeçari Ismajli, është pjesë e skuadrës së Hajduk të Splitit. Këtë sezon ai qëndruar në pankinë në pesë ndeshje, duke mos regjistruar asnjë minutë të luajtur me ekipin e parë të Hajdukut.
Ndërkohë, Ismajli është aktivizuar në dy ndeshje të Hajduk Split II, që aderon në kategorinë inferiore të kampionatit kroat. Ismajli ka qenë titullar i padiskutuar në 8 ndeshjet e zhvilluara nga përfaqësuesja U-21 e Kosovës në kualifikueset për Europianin e U-21 vjeçarëve që do të zhvillohet në Itali vitin e ardhshëm.