Banka Botërore vlerëson se hendeku mes nevojës për siguri ushqimore dhe kapaciteteve që ka Shqipëria në këtë drejtim është tepër i lartë. Kjo nënkupton se Shqipëria është ndër vendet që e vuajnë më së shumti problematikën e sigurisë ushqimore. Madje, Shqipëria rezulton të jetë vendi më i pasigurtë në Europë në drejtim të sigurisë ushqimore për produktet shtazore.
Asnjë vend tjetër në kontinentin e vjetër, e as në Ballkanin Perëndimor nuk ka një diferencë kaq të madhe sa Shqipëria mes nevojave dhe kapacitetit, çka do të thotë se mungesa e sigurisë ushqimore është alarmante.
Kjo është një emergjencë, që i shkakton vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme rreth 110 miliardë dollarë dëm çdo vit. Mungesa e sigurisë ushqimore çon në produktivitet më të ulët si dhe kosto të larta për trajtime mjekësore, duke qenë se një sërë sëmundjesh e kanë pikërisht këtu zanafillën.
Megjithatë, një pjesë e madhe e këtyre kostove mund të shmangen duke miratuar masa parandaluese që përmirësojnë mënyrën se si ushqimi trajtohet, që nga ferma e deri të pjata në tavolinat tona.
Menaxhimi më i mirë i sigurisë së ushqimit do të kontribuonte ndjeshëm në arritjen e shumë qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht ato që lidhen me varfërinë, urinë dhe mirëqenien.
Sëmundjet me origjinë nga ushqimi i keq ishin rreth 600 milionë në 2010, ndërkohë që raportohen 420 mijë vdekje të parakohshme sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.