Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në konferencën ndërkombëtare të gazetarëve në Tiranë, ku është pyetur nga gazetarët edhe për largimin e ish kryeministrit të Maqedonisë Nikola Gruevski drejt Hungarisë.
Gruevski është larguar ndonëse është dënuar me 2 vite burg në vendin e tij për shpërdorim detyre.
Kreu i shtetit, edhe pse ishte i rezervuar në komentet për këtë çështje, tha se në një farë mënyrë ish kryeministri i Maqedonisë ka pranuar fajësinë me largimin nga vendi.
“Çdo politikan aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Nuk mund të gjykoj për çështjen në fjalë, se kemi të bëjmë me një vend tjetër dhe duke pasur këtë pozicion nuk kam përse të hap një debat për këtë çështje.
Por ne kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike, janë përballuar. Largimi i tij është edhe një marrje e fajësisë së tij, pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë”– tha Meta.
Presidenti përmendi edhe një rast personal të vitit 1992, ku Prokuroria i ka hequr imunitetin dhe ka lëshuar një flet-arrest ndaj tij. Meta u shpreh se në atë kohë iu ofrua strehim politik në Greqi dhe Itali, por ai nuk ka pranuar.
“Kam edhe një rastin tim, në vitin 1992, në zonën time elektorale u morën peng dy oficerë policie nga protestuesit. Unë isha në opozitë dhe nuk isha këtu dhe vajta i shpëtova nga ajo pengmarrje pa dashje e njerëzve të painformuar.
Për këtë çështje prokuroria më hoqi imunitetin dhe donin të më fusnin në burg. Mua më ofruan strehim politik në Greqi se kishim parti aleate në atë kohë dhe në Itali. Edhe pse isha fare i ri nuk e pranova një gjë të tillë. Kështu që politikanët në Ballkan duhet të jenë gati për të gjitha sfidat dhe të qëndrojnë si burrat”– tha Meta.