MENU
klinika

Albert Çaçi

Ushtria europiane-Utopi apo domosdoshmëri?

14.11.2018 - 10:34

Presidenti i Francës Emmanuel Macron javën e fundit hodhi një ide që i hapi rrugë një debati të gjerë, atë të krijimit të një ushtrie europiane. Debati nuk lindi thjesht me idenë e krijimit të kësaj ushtrie europiane, pasi ajo nuk është një ide e re e propozuar nga Macron.

Tentativa e parë u bë në 1952 me krijimin e Komitetit të Mbrojtjes europiane por që dështoi. Më vonë krijimi i një brigade të përbashkët franko-gjermane në vitin 1989 ishte përpjekja e parë për realizimin e kësaj ideje, por që edhe kjo nuk shkoi shumë gjatë.

Por debati lindi kur Macron definoi objektivin e mbrojtjes dhe deklaroi se kjo ushtri do të mbrojë europianët nga një Rusi agresive në kufi, nga Kina që po riarmatosen me ritme të shpejta, por edhe nga vetë SHBA.

Ishte pikërisht me konceptin e mbrojtjen nga SHBA që shkaktoi një përplasje dhe konfuzion të madh.

Presidenti amerikan Trump deklaroi se kjo ide është një fyerje për SHBA që e ka mbrojtur për gati një shekull në mënyre bujare kontinentin e vjetër. Ai i kujtoi Francës se para se të ndërhynte SHBA në Luftën e Parë Botërore në Francë kishin filluar të mësonin gjermanisht dhe se ajo para se të hedhë ide të tilla duhet të paguajë detyrimet që ka ndaj NATO-s.

Nga ana tjetër ai që e përkrahu me entuziasëm këtë ide ishte Putini, pasi është evidente që një përçarje e bllokut atlantik është në interes të Rusisë. Ndërsa në shetet europiane mbizotëron një konfuzion për këtë propozim.

Në fakt thelbi i shqetësimit është se çdo të bëhet me NATO-n në rast se Europa krijon një ushti të saj pa SHBA, Kanadanë dhe Britaninë e Madhe .

Megjithëse Makron shpejtoi të përcaktojë se ushtia e re europiane do të jetë në suazën e NATO-s kjo ide shqetëson shumë shtete sidomos të Europës Lindore ku një Rusi agresive dhe e riarmatosur përbën një kërcënim serioz dhe një ushtri europiane që në rastin më të mirë do të duhet një dekadë për t’u ngritur.

Aq më tepër që kujtimet historike për “mbrojtjen” nga Franca dhe Anglia të Çekosllovakisë janë të hidhura.

Në fakt ka një problem të madh gjeostrategjik. SHBA nën drejtimin e Trump e ka zbehur interesin për Europën, dhe kjo tani nuk përbën më ndonjë lajm. Strategët amerikane e kanë të qartë se zona ku do të luhet siguria dhe interesat amerikane në këtë shekull do të jetë Paqësori ku një superfuqi e re dhe e fuqishme si Kina kërcënon seriozisht interesat amerikane.

Dhe pikërisht këtë spostim strategjik të SHBA e ka shumë të qartë Franca që nxiton të hedhë këtë ide që në thelb ndjek arsyetimin që nëse SHBA do të angazhohen maksimalisht tashmë në Lindje, Europa duhet të përgatitet për tu mbrojtur vetë.

Po pse Franca e hedh në këtë moment këtë ide dhe ajo është me të vërtetë kaq e shqetësur për mbrojtjen europiane apo ka interesa të tjera që mundohet t’i fshehë në këtë propozim?

1- Franca e ka të qartë se pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE ajo mbetet fuqia më e madhe ushtarake në Europë e pajisur me 240 mbushje bërthamore dhe me një vend permanent me të drejtë vote në Këshillin e Siguirimit.

Tashmë elita politike franceze e ka të qartë se ëndrra e tyre për të konkurruar Gjermaninë në anën ekonomike ka përfunduar që prej të paktën 25 vitesh. Gjermania përfundimisht do të jetë fuqia më e madhe ekonomike dhe udhëheqësja e BE.

Por Gjermania, për shkak edhe të historisë dhe vendimeve historike ka një ushtri mjaft dobët në raport me Francën. Franca synon që të jetë komplementare me Gjermaninë duke bashkuar superioritetin ekonomik gjerman me superioritetin ushtarakë francez.

Ideja e hedhur nga Franca se armët bërthamore franceze mund të vihen nën kontroll të përbashkët franko-gjerman është pritur me entuziazëm në Gjermani. Është e qartë se Parisi kërkon të konsiderohet si koka e ushtrisë së re europiane.

Dhe kjo padyshim që bën pjesë në atë ndarje pushteti që mban në këmbë aksin franko-gjerman, dhe për rrjedhojë gjithë BE, ku Parisi të ketë drejtimin strategjik ndërsa Berlini atë ekonomik dhe industrial.

2-Krijimi i një ushtrie europiane padyshim që do të kërkonte një buxhet të fuqishëm financiar për armatosjen e saj. Sot mbi 60% e armatimit të vendeve europiane është amerikan. Franca është vendi europian me një industri ushtarake shumë të fuqishme. Avionët e saj luftarakë Mirage dhe Rafale, fregatat moderne FREMM, tanket Leclerc, nëndetëset nukleare Triomphant dhe deri tek aeroplanmbajtëse tip De Gol apo Mistral, janë armatime që konkurrojnë denjësisht në të gjithë globin.

Një ushti e re europiane do t’i jepte pjesën e luanit industrisë së luftës franceze dhe Macron dhe lobi i fuqishëm i armatimit është shumë i interesuar për një gjë të tillë.

3- Ka edhe një problem tjetër politik se pse Macron e hodhi tani idenë e ushtrisë europiane. Në radhë të parë dobësimi politik i kancelares Merkel në Gjermani, dhe për rrjedhojë edhe në Europë i krijon atij bindjen se tashmë ai është i vetmi lider europian me një staturë të denjë për të udhëhequr Europën.

Por nga ana tjetër siç ia kujtonte edhe dje Trump në Twitter mbështetja ndaj Macron në Francë ka zbritur në 26 % dhe për t’iu larguar problemeve të brendshme hap një front të ri me ushtrinë europiane.

Sidoqoftë kjo ide e Macron është pritur ftohtë nga një grup shtetesh me në krye Italinë që tashmë po konsiderohet si aleatja më e privilegjuar e SHBA në Europë pas largimit të Britanisë. Duke u nisur edhe nga një sërë kontrakditash midis dy qeverive, që nga Libia, tek emigracioni dhe më tej tek buxheti europian Italia, një nga tre shtetet kryesore të BE, e refuzon këtë iniciativë franceze. Pa folur për Poloninë dhe vendet balltike, që me rusët në kufi nuk e perceptojnë dot mbrojtjen e tyre pa SHBA.

Pra siç duket idea e krijimit të një ushtrie të re europiane nuk vjen më shumë nga një domosdoshmëri gjeopolitike apo ushtarake, pasi sa kohë që NATO është funksionale, siguria strategjike e kontinentit nuk është në dyshim.

Por siç duket kjo ide është më shumë ambicia e një lideri në vështirësi politike, jo vetëm në vend, por edhe se ideja e tij për të reformuar BE tashmë rezulton e venitur, dhe për më tepër rritja e fuqishme e sovranistëve dhe populistëve në zgjedhjet e ardhshme rrezikon seriozisht të ardhmen e BE.

Kështu që krijimi i një ushtrie të re europiane është më shumë një utopi dhe dëshirë se sa një nevojë imediate gjeopolitike dhe ushtarake.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ushtria do të jetë plotësim i NATO-s"

Edhe Merkel kërkon krijimin e një ushtrie evropiane

"Duhet një ushtri e vërtetë evropiane"

Makron “i frikësuar” nga Rusia…

Postimi i presidentit amerikan në Twitter

Trump i fyer nga Macron…