Kryeministrja britanike Theresa May po lufton ditë pas dite për marrëveshjen e Brexit.
Partia Konservatore riafirmoi besimin në udhëheqjen e saj me një votim prej 200-117 votash. Është e vështirë të mendosh për një tjetër kryeministër britanik, udhëheqja e të cilit ka qenë në një krizë kaq të vazhdueshme. Si një grua kokëfortë dhe e ashpër, May ka filluar një raund tjetër përpjekjesh për të përfituar disa lëshime të mëtejshme nga udhëheqësit evropianë për të bërë marrëveshjen e divorcit më të kënaqshme edhe për partinë së saj, edhe për shumicën e publikut.
Populli britanik vendosi në qershor 2016 të largohet nga Bashkimi Evropian, me një diferencë të vogël prej 51.9% -48.1% në një referendum kombëtar.
Sipas nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, Mbretëria e Bashkuar duhet të largohet më 29 mars 2019. Por çështja irlandeze dhe politika e brendshme e Partisë Konservatore e kanë bërë procesin e Brexit shumë të vështirë.
Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës ndahen me një kufi tokësor që ndan këtë të fundit, e cila do të mbetet në BE, nga Irlanda e Veriut, e cila është pjesë e Britanisë së Madhe. Brexit, pra, do të linte Irlandën e Veriut jashtë bashkimit doganor të BE-së dhe Republikën irlandeze brenda saj. Kështu që përpjekjet e Mayt kanë qenë vazhdimisht të lidhura me këtë çështje.
Kjo nuk është thjesht çështje ekonomike. Është fjalë për fjalë një çështje jetë a vdekje.
Kur Irlanda fitoi pavarësinë e saj nga Britania në vitin 1922, gjashtë qarqe kryesisht protestante mbetën në Britani të Madhe nën një sistem të qeverisjes së decentralizuar. Tregtia e lirë dhe lëvizja e lirë e punës midis Britanisë dhe shtetit të ri irlandez mbijetuan.
Marrëveshja e të Premtes së Mirë në vitin 1998 krijoi një ekzekutiv unionist-nacionalist për ndarjen e pushtetit në Irlandën e Veriut, së bashku me një Këshill Britanik-Irlandez për marrëdhëniet harmonike me Republikën Irlandeze.
Çdo forcim i kufirit do të rrezikonte paqen e brishtë të siguruar nga Marrëveshja e të Premtes së Mirë.
Për të shmangur këtë rezultat, plani i Majit parashikon që Britania të largohet nga BE, por të mbetet “përkohësisht” në bashkësinë doganore, në pritje të negociatave për një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE, me “backstop” të një kufiri të hapur të garantuar midis Irlandës së Veriut dhe Republikën irlandeze.
Sikur kjo të mos mjaftonte, Parlamenti ndahet midis atyre që duan të largohen dhe atyre që duan të qëndrojnë.
Ata që duan të qëndrojnë ndahen në tre grupe: ata që e shohin “tregun social” të BE-së si një burim mbrojtjeje për punëtorët britanikë; grupi i dytë janë bizneset që llogarisin kostot ekonomike të Brexit; dhe idealistët që duan që Britania të luajë një rol konstruktiv në bashkimin politik të Evropës. Ata që duan të largohen ndahen gjithashtu në tre grupe: “Thatçeristat” që e shohin Brukselin si një “super shtet” që kërkon të “mbysë” sipërmarrjen e lirë; një grup që e sheh Britaninë si një pjesë të pavarur të një sistemi global të tregtisë së lirë; dhe “të majtët” që duan të ruajnë identitetin kulturor të Britanisë.
Duke patur parasysh ndarjet në partinë e saj, Maji do të detyrohet të varet nga deputetët e Partisë Laburiste për të marrë miratimin e Parlamentitit. Askush nuk e di se si do të votojnë deputetët.
Ka një tundim të vazhdueshëm të tipit “Nëse Parlamenti nuk mund të vendosë, le të lëmë përsëri njerëzit të vendosin.” Por nëse do të ketë një votim të dytë, do të jetë një lloj fyerje për politikën britanike. Pra, të shpresojmë që May të fitojë divorcin miqësor kur Parlamenti të votojë në janar.
Robert Skidelsky, profesor i Ekonomisë Politike në Universitetin Warwick dhe një anëtar i Akademisë Britanike, është anëtar i Dhomës së Lordëve. Autori i një biografie trevjeçare të John Maynard Keynes, e filloi karrierën e tij politike në Partinë Laburiste, u bë zëdhënësi i Partisë Konservatore për çështjet e Thesarit në Dhomën e Lordëve dhe u largua përfundimisht nga Partia Konservatore për kundërshtimin e tij ndaj ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në vitin 1999.