Sulmuesi i Basel në kampionatin zviceran, Albian Ajeti, ka folur për tabloidin e njohur helvet, “Blick”. Ai ka analizuar shumë gjëra rreth karrierës, duke u ndalur edhe te zgjedhja që bëri për kombëtaren, me të cilën luan tashmë.
Pavarësisht kërkesave të Shqipërisë, ndryshe nga vëllai i vet, Arlindi, sulmuesi shqiptar preferoi të përfaqësojë ngjyrat e kombëtares së Zvicrës, aty ku jeton dhe luan
Shqipëria: Eshtë shtëpia e familjes sime. Megjithatë, vendosa të luaj për Zvicrën dhe jo për Shqipërinë.
Kombëtarja: Një ndjenjë e mirë përkatësie. Ishte e drejtë që zgjodha Zvicrën.
Vëllezërit: Unë kam një vëlla binjak, Adonis, që po luan me Chiasson tani. Fati i tij erdhi tek unë. Ai u dëmtua dhe ka luftuar shumë për t’u kthyer në futboll. Vëllai im më i madh është Arlindi, i cili u kthye nga Italia dhe tani luan për Grasshopers. Kemi kontakte të përditshme. Vëllezërit janë shumë të rëndësishëm për mua.
Nëna: Ajo do të thotë gjithçka për mua! Nuk ka ditë, që nuk flasim.
Babai: Ai ka të njëjtin status, si nëna ime. Ai, gjithashtu, do të thotë gjithçka për mua. Babai është kontakti im i parë. Ai është si një mik, edhe pse është shpesh kritiku im i parë.
Ushqimi i preferuar: Gjithçka që gatuan nëna ime.
Champions: Shumë keq që nuk mundëm të vijojmë më tej në Ligën e Kampionëve. Kjo do të ishte një përvojë e këndshme për mua si lojtar i ri. Do ta provojmë përsëri, edicionin e ardhshëm.
Suksesi: Te Basel provova tre tituj kampioni. Fitorja më e rëndësishme ishte në Lisbonë, një vit më parë, kur u kualifikuam për në raundin me eliminim direkt të Champions League.
I dashuruar: Për momentin, jo. Ndoshta do të ketë diçka për Krishtlindje, ose vitin e ardhshëm. Është në dorën time (qesh).
Paratë: Gëzohem t’i kem ato, por nuk janë më të rëndësishmet për mua. Shumë më e rëndësishme është të kesh shëndet të plotë.
Hobet: Të dal me familjen, të bëj diçka me miqtë. Në këtë moment, për shembull, kam për të vizituar tregun e Krishtlindjeve.
Instagrami: Një çështje e vogël. Unë informohem aty se çfarë ndodh brenda dhe jashtë, por jo aq shpesh, sa më parë.
Operacionet: Unë nuk ia dëshiroj askujt ato. Vëllai im binjak tani ka bërë dy operacione serioze. Një herë në tendinën e Akilit, herën tjetër në gjunjë.
Golat: Unë jam krenar që kam shënuar më shumë gola sezonin e kaluar. Personalisht, këtë e konsideroj arritje shumë të mirë. Bashkëlojtarët më ndihmuan, kur panë se mund të bëhesha golashënuesi më i mirë.
Pushimet: Do t’i kaloj me familjen dhe në Dubai.
E ardhmja: Kam plane të mëdha, i kam vendosur vetes qëllime shumë të larta. Për momentin, jam i përqendruar te Basel. Por, qartësisht, klubet e njohura jashtë Zvicrës mbeten qëllimi im afatgjatë.
21-vjeçari shqiptar në këtë sezon ka shënuar 12 gola dhe ka bërë shtatë asistime në 26 paraqitje me Basel. Jo keq për një sulmues…