MENU
klinika

Nga New York Times

Evropa ka mbetur “jetime”…

12.12.2018 - 16:05

Ky duhej të ishte viti kur Evropa do ta vinte shtëpinë në rregull. Më në fund do të binte dakord për një marrëveshje me Britaninë për largimin e saj nga blloku. Presidenti francez, Emmanuel Macron, me planet e tij madhështore për të rigjallëruar kontinentin, do të pasonte kancelaren Angela Merkel të Gjermanisë si udhëheqës de facto i bashkimit. Populizmi do të frenohej.

Sikur…

Bashkimi Europian nuk ka më një udhëheqës të fortë që të udhëheqë atë në kohë krizash. Merkel luajti rolin e saj, por tani zëri i saj nuk po dëgjohet më për sa i përket çështjeve evropiane. Macron po përballet me protesta të dhunshme dhe një krizë në Francë, dhe presidenca e tij në rrezik.

Trazirat politike u shtuan të martën psikodramën e madhe britanike të Brexit. Kryeministrja Theresa May e kaloi ditën duke fluturuar në kryeqytetet evropiane për takime emergjente, për të kërkuar dëshpërimisht ndihmë nga evropianët për marrëveshjen Brexit.

“Ky është momenti i së vërtetës, gjërat janë më të vështira sesa dukeshin një vit më parë”, tha Pierre Vimont, një ish-ambasador francez dhe ish-drejtor i shërbimit të jashtëm evropian.

Më vonë këtë javë, liderët evropianë do të mblidhen në Bruksel për një takim lidhur me Brexit, dhe caktimin e kushteve për zgjedhjet e pranverës së ardhshme për një Parlament të ri Evropian.

Pyetja e menjëhershme është se kush mund ta udhëheqë Evropën tani. Me Komisionin dhe Parlamentin e tanishëm afër përfundimit të mandateve të tyre, si dhe Merkel dhe Macron që po dobësohen, nuk ka një udhëheqës evropian.

Dhe problemet politike të Macron në Paris nënkuptojnë se aleanca franko-gjermane e vendosur në qendër të politikëbërjes evropiane është totalisht e rrëmujshme.

Nuk ka dyshim se blloku ka shumë probleme, populizmi, sfidat që vijnë nga Hungaria dhe Polonia, kërcënimet ndaj monedhës së përbashkët euro, sfida e buxhetit italian, sulmi kibernetik i Rusisë mbi demokracinë, etj.

Shumë kishin shpresuar se Macron dhe programi i tij i reformave do të forconin Francën dhe do të siguronin udhëheqje vendimtare për Europën. Por, me protestat së fundmi, Macron humbi besimin e evropianëve që admironin programin e tij të reformave.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj do të jenë testi i ardhshëm. A do të jetë një votim për Evropën, apo një qortim nacionalist ndaj qeverive?

Me Brexit që ende varet nga Brukseli, askush nuk pret që takimi i të enjtes dhe të premtes të prodhojë ndonjë rezultat shumë dramatik, apo përparim në çështjet kritike si migrimi.

Më shumë tronditje po vijnë. Koalicioni aktual në Gjermani është shumë i brishtë. Koalicioni italian populist gjithashtu po has vështirësi, ndërsa Suedia, Belgjika, Spanja dhe vendet e tjera gjithashtu po përballen me kohë të pasigurta.

Është një peizazh i ri politik që po shfaqet. Ne mund të shpresojmë vetëm që të ketë ide më inovative për Evropën.

New York Times

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Euroskepticizëm apo eurorealizëm?

“Ballkanizimi” i Evropës

Fushata e Guy Verhofstadt kundër Orban

“Orban do të shkatërrojë Evropën”