Reshjet e dëborës kanë bllokuar disa fshatra në Bulqizë. Banorët thonë se iu duhet që disa rrugë t’i përshkojnë në këmbë, pasi lëvizja me automjete është e pamundur.
Ulja e ndjeshme e temperaturave vijon të mbajë mbërthyer fshatrat e Bulqizës Banorët kërkojnë ndihmën e pushtetit vendor për hapjen e rrugëve.
“Nuk lëvizet këtu, akull krejt rruga. Vi nga jashtë krejt rruga mirë, sa hyn në doganë si me hy, nuk e di çfarë të them. Nuk kalohet, e sheh dhe vetë si është rruga. Me zor, me zinxhirë. A punon ky shtet apo jo”?
“Janë bllokuar rrugët prej akullit, unë ec në këmbë”.
Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu, tha se problem mbeten fshatrat Tërnovë e Madhe dhe e Vogël, të cilët janë të izoluar totalisht.
Në këto fshatra, trashësia e dëborës shkon në 40 centimetra.
Avni Muliu: Aty bëhen rreth 115 shtëpi, rreth 200 e ca banorë. Po merremi me menaxhimin e situatës. Është një urdhër i Ministres së Mbrojtjes që e ka çuar për përballimin e emergjencave.
Në Bashkinë e Dibrës të izoluar kanë mbetur fshatrat e njësive Lurë e Selishtë. Këto dy njësi administrative nuk kanë komunikim me Rrëshenin dhe me Peshkopinë.
Sakaq, ulja e ndjeshme e temperaturave në Bulqizë që shkojnë deri në -10 gradë, kanë nisur të shkaktojnë probleme në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm si pasojë e ngrirjes së tubacioneve.